Ferizaj

Ekzekutivi komunal mbajti mbledhjen e rregullt javore

By FerizajPress

April 06, 2018

Paraditen e sotme, ekzekutivi komunal i udhëhequr nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka mbajtur mbledhjen e rregullt javore me drejtorët e drejtorive komunale. Në këtë mbledhje kryetari Aliu njoftoi për aktivitetin javor të zyrës së tij.

Ndër çështjet kryesore të zhvilluara në këtë javë ishin: nënshkrimi i marrëveshjes për financimin e aktivitetit të shoqatës “Down Syndrome Kosova”, mbjellja e mbi 600 fidanëve në disa prej fshatrave të Komunës së Ferizajt, aksion që do të shpërndahet në gjithë zonën rurale dhe urbane, financimin e Festivalit “Fëmijët e Gëzuar”, publikimi i listës së pronave komunale, takim me përfaqësuesit e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe aktivitet të tjera të zhvilluara gjatë javës që po përfundojmë.

Ndër çështjet kryesore që u diskutua ishte konfiskimi dhe asgjësimi i afro gjysmë toni mish nga Inspektorati Komunal pas njoftimit nga Policia e Kosovës, çështje që tashmë ka vënë në veprim edhe Prokurorinë e Shtetit.

Në këtë mbledhje drejtorët e drejtorive komunale raportuan për aktivitetin e tyre javor si dhe përmbushjen e objektivave në sektorët e tyre të platformës qeverisëse të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.