Në përfshirjen e të rinjve kosovarë, në këtë rast edhe i atyre të komunës së Skenderaj, kanë ndikuar niveli i ulët i shkollimit të të rinjve, rrymat e ndryshme ekstremiste të pasluftës që kanë ardhur në Kosovë nëpërmes organizatave të ndryshme, pakënaqësia shoqërore, mungesa e perspektivës, përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale. Mbi 500 organizata të huaja kanë vepruar në Kosovë pas përfundimit të luftës dhe secila nga ato kanë funksionuar në mënyrë të pakontrolluar, krahas anës humanitare, në emër të së cilës edhe janë thirrur, ato kanë zhvilluar aktivitete të karakterit ekstremist fetar, pas të cilave janë joshur shumë të rinj.
Këto janë disa nga konstatimet që kanë dalë nga konferenca në temën “Përfshirja e komunitetit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”, që është mbajtur në Skenderaj të enjten, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.