Ekspertiza zbardh aksidentin, 20-vjeçari i dha gaz veturës kur shtypi nënën e dy fëmijëve

By FerizajPress

July 14, 2016

Andrea Memollari, i cili u prangos pak orë pasi aksidentoi për vdekje Dhurata Pritin, ka deklaruar se nuk e mbante mend se si kishte ndodhur saktësisht aksidenti, por kujtonte se mbas goditjes së parë e kishte zënë paniku dhe i ka dhënë gaz veturës nga frika, pasi ishte trembur.

Ai ka shtuar se nuk e mendonte se do t’i kalonte përsipër nënës së dy fëmijëve dhe se u largua nga vendngjarja pasi ishte në gjendje paniku.

Sipas ekspertizës paraprake auto-teknike të kryer në vendngjarje rezulton se, shpejtësia e veturës ka qenë 35 km/orë, semafori ka qenë portokalli dhe pas goditjes së parë, sipas ekspertëve, Memollari nuk ka bërë asgjë për të minimizuar pasojat, madje ka shtuar shpejtësinë, çka ka qenë fatale për jetën e 45-vjeçares.

Nga ana tjetër, ekspertët sqarojnë se Dhurata Prifti nuk ka qenë duke kaluar te vizat e bardha. Por përgjegjësia, sipas tyre, i takon 20-vjeçarit për mosdhënie prioriteti këmbësorit.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore rezulton se Dhurata Prifti ka marrë plagë të tilla që kanë shkaktuar shokun e rëndë traumatiko-hemoragjik. Sipas mjekëve, tek viktima janë konstatuar dëmtime të rënda të indit trunor, dëmtime në pjesën e gjoksit dhe në gjymtyrët e sipërme, shkruan tv klan.

Andrea Memollari akuzohet nga Prokuroria për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke shkaktuar vdekjen e një personi”, e cila dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.

.