Si sot e shtatëmbëdhjetë vjet më parë, qytetarët e Kukësit pritën shqiptarët e Kosovës që kaluan kufirin.
Që nga ajo kohë, Sefedin Abiti, si shumë ish-refugjatë, ka qenë edhe herë të tjera në Shqipëri, por kalimi në këmbë i kufirit për të inskenuar marshimin e vitit 1999 i ngjall të tjera emocione.
“Tani po e përjetojmë shumë mirë, ndërsa para shtatëmbëdhjetë vjetësh duke qarë kemi dalë. Ka pasur të vrarë e të plagosur”, tregon ai.
Të udhëhequr nga ministra e kryetarë komunash, në anën tjetër të kufirit qytetarët u pritën nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu.
“Sot vijnë në kushte tjera, në kushtet e një Kosove të pavarur, një Kosove që synimin e ka drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Minxhozi.
Ndërsa, ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, vlerësoi lart kontributin e Kukësit gjatë luftës në Kosovë.
“Ky rajon ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për logjistikën e luftës së UÇK-së. Prej këtej kemi pasur përkrahje edhe me burime njerëzore dhe sot po ecim këtu për të përkujtuar atë ditë dhe të rënët”, tha Murati.
Nga pika kufitare e Morinës, rruga drejt Kukësit vazhdoi më pas me autobusë, ndërsa në qytet, në patronazhin e kryetarit të bashkisë, Bashkim Shehu, për miqtë nga Kosova u organizua një aktivitet kulturor. /Top Channel/
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=7AgRY4HFAC0?feature=oembed]