Ferizaj

Edhe në Ferizaj po mbahet pjesa e dytë e Provimit të Maturës 2017

By FerizajPress

June 24, 2017

Ferizaj.24.06.2017. Nën organizimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sot po mbahet Provimi i Maturës 2017 afati i qershorit, pjesa e dytë.

Në 7 qendra, njohuritë e tyre i testuan mbi 1 mijë 700 maturantë të komunës së Ferizajt. Se ishin të kënaqur me rrjedhën e përgjithshme të Provimit të Maturës e tha edhe drejtori komunal i arsimit, Muhamet Halili.

Edhe në qendrat testuese në Ferizaj, ekspertët, administratorët dhe mbikëqyrësit, bashkë me drejtorët e shkollave e policinë, si dhe akterët tjerë të përfshirë në proces, kanë monitoruar provimin. Myrvete Morina nga Komisioni shtetëror i maturës theksoi se nuk vërejtën parregullsi.

“Në qendrën ku jam monitoruese gjithçka është duke shkuar në rregull. Testi ka filluar me kohë dhe deri më tani nuk është evidentuar ndonjë parregullsi” ka thënë  Myrvete Morina përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

E, drejtues të arsimit në Ferizaj bënë me dije se këtë vit është shumë më i vogël numri i nxënësve që hynë në provim për herë të tretë. Thanë se pragu i kalueshmërisë në provimin e maturës shtetërore sipas Ligjit për provimin e maturës shtetërore është 40 për qind.

Pjesa e parë e testit të maturës u mbajt më 14 qershor. Testi i maturës vlerëson arritjet e njohurive, shkathtësive dhe aftësive të nxënësve, të cilat i kanë fituar gjatë arsimimit parauniversitar në përputhje me kurrikulën e Republikës së Kosovës. Publikimi i rezultateve të provimit të maturës bëhet më 30 qershor.