Lajme

Edhe Kaçaniku kërkon një kyçje në autostradën “Arbën Xhaferi”

By FerizajPress

June 28, 2019

Kuvendi i Komunës së Kaçanikut mbajti mbledhjen e gjashtë të rregullt, për vitin 2019, të cilën e kryesoi Kryesuesi i Kuvendit Kemajl Murseli.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës debatuan për çështjen e një kyçje – çkyçje në Autostradën “Arben Xhaferi” si dhe çështjen dëmtimit të rrugëve lokale nga “Bektel Enka”.

Përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në kuvendin komunal shprehën indinjatën e tyre karshi injorimit të institucioneve qendrore- Ministrisë së Infrastrukturës, për neglizhim dhe mos përgjigje ndaj kërkesave të adresuara nga kuvendi kohë më parë.

Në fund të debatit u mor vendim që të iniciohet një takim nga përfaqësuesit e partive politike të Kuvendit Komunal me ministrin e Infrastrukturës dhe ti përcillet edhe njëherë kërkesa për ndërtimin e një kyçje – çkyçje në Autostradën “Arben Xhaferi”, ku anëtarët morën përkrahjen nga Kryetari për të gjitha nismat që do të ndërmarrin.

Ndryshe, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur javë më parë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesat e Vitisë dhe Ferizajt për kyçjet shtesë në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Kyçja e Gërlicës së Vitisë, ajo në hyrje të Ferizajt dhe ndërtimi i mbikalimit të Paldenicës së Hanit të Elezit, janë kërkesa të parashtruara nga banorët dhe drejtuesit e komunave në fjalë si dhe një grupi të deputetëve të kuvendit të Republikës së Kosovës nga legjislatura e kaluar, të miratuara edhe nga anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit të Autostradës R6.

Meqë këto ndërhyrje nuk kanë qenë pjesë e projektit fillestar, në vazhdim nevojitet projektim dhe ndërtim i tyre, punë kjo që do të bëhet nga konsorciumi Bechtel Enka, punëkryes të tërë autostradës. /Indeksonline/