Ferizaj.18.09.2017. Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot 18 shtator 2017, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit T.T, i cila në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja” nga neni 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, aktakuzës së prokurorisë për veprën penale “Vrasja” nga neni 178 të KPRK-së, e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) vjet,
I pandehuri T.T, akuzohet se më 15 janar 2014, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.M, derisa i ndjeri i cili e drejtonte veturën i shoqëruar me disa persona të tjerë, me të parë të pandehurin T.T, ndal veturën për të biseduar me T.T, i cili shoqërohej nga disa persona të tjerë, dhe me të dal nga vetura menjëherë fillon fjalosja në mes të të ndjerit dhe B.K, ku i pandehuri T.T ja ofron revolen në kokë B.K, ndërsa tani i ndjeri A.M del nga vetura duke e lutur që të ulë armën dhe të merren vesh, ndërsa i pandehuri nxjerr një thikë me të cilën e godet të ndjerin A.M në anën e djathtë të gjoksit dhe i rrjedhojë e plagëve të marra dhe gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme nga dëmtimi i zemrës dhe mushkrës i ndjeri vdes, dhe i pandehuri ik nga vendi i ngjarjes.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej (pesëmbëdhjetë) 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.