Ferizaj

Dy vjet burgim dhe 500 euro gjobë për grabitje

By FerizajPress

June 11, 2019

Me dy vjet burg dhe 500 euro dënim është dënuar M.S nga Ferizaj, përcjellë Indeksonline.

Përmes një njoftimi të Gjykatës Themelore në Ferizaj, bëhet e ditur se më 12 maj të këtij viti, i dënuari së bashku me të miturën D.S kanë grabitur viktimën S.H me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme.

Më poshtë njoftimi i plotë i Gjykatës:

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit për Krime të Rënda, më 11 qershor 2019, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit M.S i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale grabitja nga neni 317 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor fillestar, pranimit të fajësisë nga i pandehuri për veprën penale me të cilën e ngarkon akuza, të pandehurin M.S, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) euro.

I pandehuri akuzohet së më 12 maj 2019 në Ferizaj, së bashku me të miturën D.S me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze duke e sulmuar jetën dhe trupin e të dëmtuarës S.H, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme e që vetës ti sjellin përfitim pasuror, fillimisht i pandehuri e ka kapur me duar për fyti të dëmtuarën duke ia marr me forcë telefonin, ndërsa e mitura D. ia kishte marr çantën nga krahu.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.