Më 1 maj mbahen zgjedhjet për Asamblenë Komunale të lokalitetit Emmen (kantoni Lucern). Në këto zgjedhje marrin pjesë edhe dy kandidatë me prejardhje shqiptare. Bëhet fjalë për Bujar Berishën (fotograf dhe rok muzikant) dhe Dritan Sylejmanin, afarist.
Tashmë në hapësira të ndryshme të Emmen-it mund të shihen pllakatet në të cilat prezantohen në mes të tjerëve edhe portretet e dy kandidatëve të përmendur.
Të kujtojmë se Bujari është duke e kryer tashmë mandatin e parë në këtë pozicion dhe po kandidon për mandatin e dytë.
Si Bujari ashtu dhe Dritani janë pjesë e listës së Partisë Socialdemokrate (SP). Ata, si “secondo”, brez i dytë i migracionit në Zvicër, kanë një reputacion të mirë në rrethin ku jetojnë dhe pritet të kenë sukses në këto zgjedhje.
Duke qenë se në Emmen jeton një numër të madh shqiptarësh me shtetësi zvicerane, të cilët pra kanë të drejtë vote, pritet që ata të shfrytëzojnë në mënyrë sa më masive këtë të drejtë dhe të votojnë për dy kandidatët me prejardhje shqiptare. /albinfo.ch/