Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, është mobilizuar me të gjitha kapacitetet dhe ka ngritur aktivitete në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, për ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe shëndetit publik. Aktivitetet të shumta të parapara në plan të veprimit siç janë: kontrollimi i qendrave tregtare, lokaleve afariste me shumicë e pakicë, fushave dhe sallave sportive, fitneseve dhe kontrollit të mjeteve të transportit urban dhe ndërurban po vazhdojnë gjatë 24 orëve pa ndërprerë. Kështu që vetëm gjatë tre ditëve të fundit në kuadër te Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Ferizaj janë shqiptuar rreth 400 fletëparaqitje ndaj qytetarëve që nuk kanë respektuar masat anti- COVID-19 e gjithë kjo në të mirë të shëndetit publik. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj do të vazhdojë me aktivitete të tilla edhe në ditët në vijim, andaj lusim qytetaret për respektimin e masave të parapara në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e Policisë Rajonale të Ferizajt.