Ferizaj

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe GIZ-i Gjerman ftojnë bizneset e Ferizajt në panairin e punës

By FerizajPress

March 22, 2019

Paraditen e sotme në sallën e Kuvendit të Komunës, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit ka mbajtur një sesion informues me punëdhënësit nga Rajoni i Ferizajt, Shtimes, Kaqanikut, Hanit Elezit dhe Shtërpcë lidhur me Panairin e Punës 2019, i cili organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës(APRK), Komunën e Ferizajt dhe Zyrën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

Me këtë rast drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Zekir Bytyqi, ka thënë se ky sesioni informues ka për qëllim të njoftojë dhe ofrojë udhëzime më të qarta për të gjithë punëdhënësit që janë të interesuar të marrin pjesë në panair.

Të pranishmit lidhur me detajet e këtij panairi të punësimit, i ka dhënë Arbër Jashari nga organizata GIZ.

Gjatë këtij sesioni të gjithë të pranishmit patën rastin që të regjistrohen përmes aplikimit online apo formularit për aplikim. Poashtu u bë e ditur se të gjithë punëdhenesit të cilët shpallin vendet e lira të punës apo praktikës në punë, gjatë panairit mund të intervistojnë dhe vlerësojnë kandidatët potencial për punë apo praktikë në punë.

Ndërkaq punëkërkuesit do të kenë mundësin e aplikimit apo intervistimit të praktikes në punë apo vendeve të lira të cilët janë shpall nga kompanitë, si dhe informata për trajnime e aftësime profesionale.

Panairi i Punës do të mbahet me datën 30 mars duke filluar nga ora 10:00 në shkollën fillore te mesme të ulët “Tefik Çanga” në Ferizaj.