Ferizaj. 06.03.2019. Drejtoria e Bujqësisë ka planifikuar që edhe këtë vit të bëj subvencionimin e kamatave për agrokredi.
I pari i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami, ka thënë se për këtë vit janë ndarë 100 mijë euro, vlerë kjo më e vogël se viteve të kaluara, ngase sipas tij komuna e Ferizajt ka paraparë për sivjet ndarjen e mjeteve për blerjen e mekanizimit bujqësor dhe sistemit kundër breshrit.
Madje ka shtuar se kjo është bërë në konsultim me kryetarin e Ferizajt dhe se është hera e parë që komuna mbështetë fermerët me mekanizëm bujqësor. Përfituesit e kamatave duhet të plotësojnë kriteret e parapara. Viteve të kaluara me subvencionim të kamatave janë ndihmuar fermerët që kanë pasur nevojë për mekanizëm dhe zgjerim të veprimtarive prodhuese. Drejtori Bajrami, shton se edhe vlera e paraparë për kamata është ulur mu nga shkaku se komuna do të kujdeset që tani e tutje t’i përkrah vetë fermerët me mekanizëm bujqësor. Bëhet e ditur se këtë vit ndikim pozitiv do të ketë edhe aplikimi i tatimit për tokat. Kjo për faktin se ky tatim i prekë tokat e lëna djerrinë. Me këtë po synohet që rrite interesimi i fermerëve për zgjerimin e sipërfaqeve punuese. Drejtoria e Bujqësisë së fundi ka bërë thirrje për aplikim për ndarjen e serrave dhe fidan të perimeve.