Ferizaj

Drejtoria e Bujqësisë planifikon 365 mijë euro subvencione për këtë vit

By FerizajPress

February 02, 2021

Anëtarët e Komitetit për Politikë e Financa në Ferizaj mbajtën sot mbledhjen e parë për këtë vit, ku ia proceduan pikat e rendit të ditës Asamblesë Komunale.

Kuvendarët e Ferizajt në seancën e parë për këtë vit që do të mbahet pas 3 dite, do t’i kenë vetëm 8 propozime  për t’i diskutuar e miratuar,  shumica prej të cilave propozim-vendime për shpallje të interesit të përgjithshëm të ngastrave kadastrale, të cilat sot nuk u diskutuan fare nga anëtarët e Komitetit.

Përveç këtyre propozimeve, nga kuvendarët e Ferizajt do të kërkohet edhe një herë aprovimi i tyre për Rregulloren Komunale për Transparencë, meqë sipas drejtoreshës së Administratës Aurora Ramadani, kjo rregullore ka pësuar disa ndryshime.

“Kjo rregullore ka kaluar në vitin e kaluar përmes këtij Kuvendi, por me shfuqizimin e udhëzimit administrativ për transparencë nga MAPL-ja ne duhet ta harmonizojmë me këtë udhëzim administrativ, prandaj me këto ndryshime kemi sjell tek ju që të votohet dhe të kalohet pastaj si draft. Neni 2, neni 4, neni 5 neni 6.8 dhe 6.9, neni 7, neni 9, neni 18.2 dhe 18.5  dhe neni 26 ka ndryshuar në tërësi në këtë rregullore, prandaj ju ftoj ta votoni”, tha Ramadani.

Ashtu si propozimi i drejtoreshës së Administratës që kaloi pa diskutime, ngjashëm  ndodhi edhe me propozimin e Drejtorisë së Bujqësisë për ndarjen e subvencioneve për këtë vit  në vlerë prej 365 mijë eurove.

“Përmes kryetarit Aliu kemi propozim-vendimin për ndarjen e subvencioneve në fushën e bujqësisë, këtë propozim e bëjmë duke u bazuar në rregulloren për ndarjen e subvencioneve neni 21 dhe 21.1, rregullore e cila është miratuar nga Kuvendi Komunal“, tha Burim Bajrami, drejtor i Bujqësisë.

Në seancën e së premtes do të jetë edhe propozim-vendimi për zëvendësimin e anëtarit të Komitetit nga radhët e komuniteteve.