Ferizaj

Drejtoria e Bujqësisë nuk planifikon buxhet për kompensimin e fermerëve në Ferizaj

By FerizajPress

September 20, 2018

Edhe pse ekzekutivi i Ferizajt ka paraparë ngritjen e buxhetit prej 70 mijë euro për Drejtorinë e Bujqësisë në vitin 2019, ai nuk ka planifikuar mjete buxhetore për kompensimin e fermerëve që janë dëmtuar nga breshëri gjatë këtij viti.

Drejtori i Bujqësisë në Ferizaj Burim Bajrami, tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, meqë Qeveria është zotuar për kompensimin e fermerëve të dëmtuar.

“Jeni në dijeni se kryeministri ka marrë një vendim për kompensimin e dëmeve dhe ajo na ka pamundësuar neve që të planifikojmë buxhet për vitin e ardhshëm për kompensim të dëmeve, unë po shpresoj se kryeministri do të respektoj vendimin që e ka marrë dhe përmes Ministrisë së Bujqësisë të bëhet kompensimi i dëmeve tek fermerët e komunës sonë, ne i kemi pajisur me të gjitha materialet përcjellëse, me shifrën e dëmeve dhe po besoj që mbetet vetëm respektimi i vendimit të kryeministrit. Ne si nivel lokal nuk kemi edhe mjete, por edhe nuk kemi paraparë mjete për vitin e ardhshëm, unë po besoj se vendimi i kryeministrit është pak më parësor se ai i nivelit lokal, ai ka paraparë edhe krijimin e fondit të emërgjencave për vitin e ardhshëm dhe unë po shpresoj se do të kompensohen edhe dëmet e këtij viti, por edhe do të rritet fondi për emërgjenca në vitin e ardhshëm”, tha Bajrami.

Megjithatë, drejtori Bajrami tregoi se në buxhetin e vitit 2019 që më 25 shtator do të dal për miratim në Kuvend, është planifikuar një shumë prej 80 mijë euro për vendosjen e sisitemit kundër breshërit tek disa fermerë të caktuar.

“Në vitin e ardhshëm kemi planifikuar diku rreth 80 mijë euro për investim në sistem kundër breshërit, kemi pasur edhe takime me akterë të ndryshum në këtë drejtim, nuk jemi të lejuar edhe nga ana KFOR-it për vendosjen e pompave kundër breshërit, por ne do të investojmë në mekanizmin kundër breshërit, sidomos tek pemëtarët ai do të hyjë në punë shumë. Është projekt shumë i mirë, është projekt që nuk ka ndodhur askund brenda Republikës, do të jetë tek fermerët e caktuar, fermerët e mëdhenj të cilët nuk e kanë sistemin kundër breshërit, do të përzgjedhet lista, do të konkurrojnë pemëtarë të caktuar dhe kush i plotëson kushtet do të jetë përfitues, do të jetë me kritere sepse sasia e mjeteve nuk na lejon që të përfshijmë komplet teritorin e komunës sonë”, tha Bajrami.

Sipas raportit të vlerësimit të dëmeve nga Drejtoria e Bujqësisë, nga erërat e forta dhe breshëri, bujqve ferizajas u janë shkaktuar dëme në vlerë rreth 670 mijë euro.