Ferizaj

Drejtoria e Bujqësisë e gatshme të ndihmojë me projekte atraktive shkollën e Agrobiznesit në Ferizaj

By FerizajPress

March 31, 2022

Në një takim të zhvilluar mes Drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, Burim Bajrami dhe  Drejtorit të shkollës së Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini”, Abdullah Imeri është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe avancimit të punës praktike në shkollë.

Drejtori, Burim Bajrami në këtë takim  ka shprehur gatishmërinë që të mbështesë  disa projekte në këtë shkollë me qëllim  të avancimit të punës praktike   në profilet e Agrobiznesit.

Drejtori Bajrami tha se për një zhvillim më të mirë dhe  përgatitje të kuadrove  rruga më e mirë është që të investohet në shkollat profesionale,  aty ku bëhet përgatitja e kuadrove për tregun e punës.

“Si Drejtori e Bujqësisë dhe Pylltarisë gjithmonë e kemi pasur prioritet që përveç investimeve në bujqësi, të përgatisim edhe kuadro të rinj  që  janë garancion i një të ardhme më të sigurt. Kësaj radhe jemi duke punuar që në shkollën e Agrobiznesit  të realizojmë një projekt, i pari në Kosovë, jo vetëm në shkolla. Përmes këtij projekti do të përgatiten kuadro për të cilët më nuk do të jetë problem kualiteti i tokës por që prodhimi do të jetë në duart e  tyre” ka thënë  Burim Bajrami.

Bajrami bëri të ditur  se ky  projekt do të lehtësojë punën  në bujqësi, rriti prodhimin dhe cilësinë e produkteve  që do të prodhohen.

“Këtë  vit do të provojmë me  nxënësit e shkollës së Agrobiznesit, dhe varësisht prej suksesit, e që nuk dyshoj se nuk do të ketë sukses, do ta kemi në agjendë edhe për projekte  me subvencione  me bujqit  ferizajas” ka thënë Bajrami

Për këtë gatishmëri  është shprehur falënderues Drejtori i shkollës së Agrobiznesit dhe Teknologjisë  “Zenel Hajdini”, Abdullah imeri,  i cili tha kur gjen një gatishmëri të tillë për përkrahje është kënaqësi që të punosh për përgatitjen e gjeneratave të reja.

Se vërtetë Drejtori Burim Bajrami e ka prioritet përgatitjen e kuadrove profesionale   tregojnë edhe mbështetja që ai po i bënë kësaj shkollë për katër vite radhazi. Projekti i Ambulantes Veterinare, i pari në  shkollat profesionale në Kosovë, ngritja e tri serrave, furnizimi me materiale harxhuese, plehra kimike, fidanë të pemëve, drunj dekorativ dhe me makineri  janë vetëm disa nga projektet që  është ndihmuar shkolla e Agrobiznesit nga kjo Drejtori.