Lajme

Drejtori i Infektivës: Në Kosovë nuk ka të vdekur nga virusi i Nilit

By FerizajPress

August 16, 2018

“Nuk ka vdekur asnjë person nga ky virus por kemi vetëm një pacient të prekur”, tha Ramadani në një prononcim për KALLXO.com.

Ndërsa, dje, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka njoftuar se është vërejtur prania e virusit të Nilit Perëndimor te tre persona në Kosovë dhe se njëri nga ta që ishte shtrirë në Klinikën Infektive ka vdekur.

Lidhur me çështjen e virusit, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë sot se nga Komuna e Prishtinës ka pranuar kërkesë për dezinsektimin e qytetit për të eliminuar mushkonjat, të cilat janë bartëset kryesore të virusit të Nilit Perëndimor.

Ministri, po ashtu, ka kërkuar nga të gjitha institucionet ta kryejnë në mënyrë serioze punën e tyre.

Simptomat e virusit të Nilit Perëndimor janë temperaturë, marramendje, vjellje, dhembje e trupit si dhe ënjtje të gjëndrave limfatike dhe përhapet nga pickimi i mushkonjave të infektuara.

Nga ky virus deri më tani në Europë kanë vdekur 17 persona, prej të cilëve nëntë në Serbi e tre në Greqi.