Një rast i pazakontë, mbi të gjitha dramatikë dhe me rreziqe për pasoja me jetë njerëzish, ka ndodhur dje në fshatin Gllobar të Drenasit.
Policia e Kosovës në raportin e sotshëm bën të ditur se dje, në orën 19 e 15 minuta, se në fshatin Gllobar të Drenasit, derisa njësiti i zjarrfikësve ishte duke intervenuar në një rast të zjarrit, i ka dalë përpara në rrugë një i dyshuar, mashkull K-Shqiptar, dhe nën kërcënimin e armës i ka detyruar të ndalen. Më pas, sipas raportit, ai ua ka marrë kamionin e zjarrfikësve.
Në raport theksohet se ai me vete kishte edhe një fëmijë të moshës 5 vjeçare, transmeton Koha.net.
Njësiti policor ka arritur në vendin e ngjarjes, me ç’rast i dyshuari qëllimisht me kamionin e grabitur nga zjarrfikësit e ka goditur veturën e policisë.
Raportohet se dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.
I dyshuari është arrestuar.
Gjatë arrestimit lëndime trupore ka pësuar edhe një zyrtar policor, i cili ka asistuar në rastin, si dhe një zjarrfikës.
Në kamion gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një armë, e cila dyshohet se është lodër nga plastika.
Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në Klinikën e Neuropsikiatrisë në Prishtinë dhe është nën mbikëqyrje të policisë.