Kultura-Arti

Ditë të mira për karikaturën në qytetin e Ferizajt

By FerizajPress

May 07, 2017

Tre karikaturist nga Ferizaj kanë zgjedhur që më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shprehjes, të hapin një ekspozitë në galerinë e këtij qyteti.

Imri Musliu, Selajdin Hajdini dhe Agron Sejdiu kanë mbushur muret e kësaj galerie me punimet e tyre të përzgjedhura nga kjo fushë. Që të tre këta krijues të karikaturës kanë shfaqur tri stile të veçanta të krijimit të kësaj forme specifike të të shprehurit. Imri Musliu, i cili kohëve të fundit, me karikaturat e tij ka arritur të depërtojë edhe jashtë vendit, vazhdon të kultivojë karikaturën e mbështetur në simbole, përkatësisht të ambalazhuar me një enigmë që jo lehtë bëhet e komunikueshme. Megjithatë kësaj radhe kishte disa karikatura që kapërcenin këtë stil dhe bëheshin më të qarta. Po sigurisht që karikatura, e cila paraqet Skënderbeun, ishte e veçanta e kësaj ekspozite të shfaqur në ditën e lirisë së shprehjes. Musliu paraqet Skënderbeun si një njeri parahistorik, që për veshje ka vetëm qimet në trup dhe leshin e dendur në mjekrën e tij karakteristike. Po është përkrenarja e kryetrimit të shqiptarëve që identifikon qartë domethënien e kësaj karikature, e cila si e tillë e shpërfaq kryetrimin në formën më fyese të mundshme. Mbase autori karikon edhe me përkrenaren, brirët e dhisë duke i kthyer në pozitën përpara dhe duke i dhënë tipare edhe më të egra dhe më barbare kryetrimit Skënderbe. Fakti se kjo karikaturë ishte shpërblyer në një manifestim kulturor për mbrojtjen e trashëgimisë në një qytet të Turqisë, gjë kjo e cila dëshmohej me një mbishkrim të vendosur në fund të karikaturës, e bënte këtë punim më të hapur për një debat dhe mbase gjithë ekspozitën, brenda së ciklës kjo karikaturë kishte marrë vendin qendror.

Selajdin Hajdini vazhdon t’i qëndrojë besnik portretit karikaturë dhe ta kultivojë këtë me pasion. Sela tashmë është bërë i njohur nëpërmjet kësaj forme të karikaturës, jo vetëm brenda vendit tonë, por edhe më gjerë. Sela jo vetëm që ka kujdes në tjetërsimin, përkatësisht në ekzagjerimin e vijave të fytyrës në portret, por angazhohet vazhdimisht që nëpërmjet deformimit të nxjerrë edhe karakterin e tipit të portretuar, që në këtë rast kryesisht janë persona të njohur nga jeta publike. Sela portretet karikaturë i punon edhe në ngjyra, sikundër edhe vetëm me laps grafik. Nuk janë të pakta edhe punimet kroki që i bën ai. Në përgjithësi është një karikaturist që në fushën e këtij krijimi ndodhet me decenie dhe vazhdon të punojë me të njëjtin pasion. Pa dyshim që freskia më e madhe e kësaj ekspozite, e cila është e dyta që këta karikaturistë organizojnë në këtë galeri të qytetit të Ferizajt, ishte prezantimi i Agron Sejdiut me shumë punime të reja që për herë të parë shfaqeshin para publikut ferizajas. Me përkushtim e këtij karikaturisti të talentuar i ka rënë në sy publikut që nga ekspozita e parë. Ai tani me punimet e reja veç sa dëshmonte se është në rrugë të mirë jo vetëm të ndërtimit të karikaturës, por edhe të ideve që bartin ato. Gati një cikël karikaturash Goni i kishte me motive politike, përkatësisht nëpërmjet një cinizmi tallë Bashkimin Evropian në raport me Kosovën, kur është në pyetje liberalizimi i vizave. Karikatura, ku një mur me gjemba shënon pengesën e lëvizjes, ndërsa në pjesën e sipërme të tij shtrihet flamuri evropian, me shenjën EU, dëshmon më së miri për izolimin tonë dhe për qasjen që Evropa ka ndaj neve. Karikaturë kjo e realizuar jo vetëm si ide e shkëlqyeshme, por edhe si punim i realizuar nëpërmjet ngjyrave. Edhe karikatura, që simbolizon NEWBORN-in nëpërmjet një druri të njomë, mbi të cilin hidhet me sëpatë një tip, është dëshmi e një mjeshtri të karikaturës.

Në përgjithësi publiku që ishte me shumicë në hapjen e kësaj ekspozite pati rastin të shoh karikatura vërtet të realizuara mirë dhe që përfshinin motive nga jeta jonë politike dhe shoqërore.

E kur dihet se ky lloj artistik i shprehjes jo vetëm që nuk ka shënuar një avancim në hapësirat tona, por ka shënuar një kthim prapa, ndërsa karikaturistët tanë nuk patën vullnetin e mirë që të organizoheshin dhe ta ribënin revistën për humor dhe satirë “Thumbi”, ekspozita në fjalë merr vlera të veçanta. Për më tepër që në hapjen e kësaj ekspozite u tha se këta tre karikaturistë ferizajas janë të vendosur që të formojnë shoqatën e tyre me emrin “Hithi”, rreth së cilës do të afroheshin jo vetëm krijuesit nga Ferizaj, por edhe më gjerë.

Ndryshe, karikatura ka një traditë në qytetin e Ferizajt, ndërsa karikaturisti Selajdin Hajdini ka shfrytëzuar lokalet e ndryshme për t’i ekspozuar vazhdimisht karikaturat e tij, në mënyrë që publiku të jetë përherë me to. Prandaj ekspozitat e tilla janë një motiv i mirë për ta ruajtur dhe kultivuar këtë formë të shprehjes së mirë, që në mënyrën më të mirë vë në thumb të metat tona politike dhe shoqërore./zëri