Lajme

Disiplina shuan vatrën e epidemisë në Mal të Zi

By FerizajPress

April 16, 2020

Tuzi ka dalë të martën nga izolimi pas tri javësh. Komuna më e rrezikuar në Mal të Zi ka arritur të frenojë përhapjen e koronavirusit me masa të rrepta të karantinës dhe ndalim absolut të lëvizjes.

Në rrugët e Tuzit në Mal të Zi është rikthyer jeta. Pas 20 ditësh në karantinë kolektive, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë dhe, pjesërisht, të lëvizin nëpër vendet publike.

Epidemia ka kërcënuar jetën e 15 mijë banorëve të njerës prej komunave më të vogla në Mal të Zi, vetëm 10 kilometra larg Podgoricës.

Më 24 mars në Tuz janë konfirmuar 15 të infektuar me koronavirus. Nga Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi kanë paralajmëruar në atë kohë se situata është shumë e rrezikshme. Të nesërmen është ndaluar rreptësisht dalja nga shtëpia.

Me përjashtim të rreth 20 personave që kanë shkelur ndalesën dhe janë arrestuar, banorët u janë bindur rregullave për tri javë.

Shteti u ka dërguar ilaçe dhe ushqime banorëve. Pushteti vendor dhe vullnetarët kanë organizuar po ashtu dërgesa për familjet në të gjithë bashkinë.

Numri i të sëmurëve është rritur javën e parë, por, më pas, përhapja e virusit është ngadalësuar.

“As në Kinë, qytetarët nuk i kanë respektuar aq rreptësisht masat a parashikuara. Për këtë arsye ne të gjithë duhet t’iu falënderohemi qytetarëve të Tuzit për këmbnguljen dhe durimin dhe për faktin se, me sjelljen e tyre, kanë arritur që ta shuajnë vatrën, që është regjistruar në komunën e tyre”, ka thënë Senad Begiq nga Instituti i Shëndetit Publik.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, u është falënderuar tuzianëve dhe ka thënë se ata mund të jenë shembull për të gjithë në Mal të Zi.

Në Tuz tani, një anëtari të familjes, pa virus dhe pa kontakte me të infektuar, i lejohet të dalë nga ora 05:00 deri në orën 15:00 për pazare dhe punë të tjera të domosdoshme.