Ferizaj

Disa nga të infektuarit me COVID-19 në Ferizaj janë punëtorë të Bondsteel-it

By FerizajPress

April 11, 2020

18 personat që mbrëmë dolën pozitiv për COVID-19 në Ferizaj, janë punëtorë në “Bondsteel” dhe familjarë të 65-vjeçarit që vdiq nga koronavirusi. Sot pritet të testohen edhe 65 persona të tjerë me të cilët kanë pasur kontakt të infektuarit.

Lajmin e ka konfirmuar Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

“Këta 18 personat që mbrëmë kanë rezultuar pozitiv janë familjarë dhe kolegë të 65 vjeçarit që ka ndërru jetë, pra që kanë punu në “Bondsteel”. Nuk e di saktë a kanë punu shofer apo numrin e tyre, por që janë vetëm kolegë dhe familjarë. Sot po presim që me ardh Instituti me i marr edhe 65 mostra, pra të personave që kanë pas kontakt me këta të infektuarit. Gjendja e të infektuarve është e mirë dhe janë në izolim”, ka thënë Aliu

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 23 raste të reja me koronavirus, duke bërë kështu që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 250.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë me dije se rastet e konfirmuara janë raste kontakti nga Ferizaj, Vitia, Hani i Elezit, Prizreni dhe Prishtina.

IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 14 pacientëve të tjerë.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, tetëmbëdhjetë (18) raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare), 2 raste Viti, 1 rast Hani i Elezit, 1 rast Prizren dhe 1 rast Prishtinë. Sot më 10 prill 2020, janë të shëruar edhe katërmbëdhjetë (14) pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej pesëdhjetë e dy (52)”, thuhet në njoftim.

Sipas IKSHP’së, që nga data 8 shkurt e deri mbrëmë janë testuar 2 mijë e 876 mostra dhe se janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4 mijë e 176 kontakte të rasteve.

“Nga data 08 shkurt deri më 10 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.876 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e pesëdhjetë (250) me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, njofton instituti.

Deri tani, betejën me koronavirusin e kanë humbur shtatë persona, derisa janë shëruar 52 të infektuar.