Lajme

Dikur preferonin qytetet, tani fshatrat bëhen atraktive

By FerizajPress

July 03, 2016

Investimet në bujqësi, infrastrukturë, rrjetin shëndetësor dhe atë arsimor, besohet se jo vetëm që do të ndalin trendin e zhvendosjes së banorëve nga viset rurale në ato urbane, por edhe do të nxisin kthimin e tyre nëpër fshatra, thonë demografë dhe ekspertë për bujqësi.

Me gjithë rastet e fundit të interesimeve për t’u rikthyer në viset rurale, trendi i kërkimit të një jete më të mirë nëpër qytete, ende vazhdon.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se vetëm në vitin e kaluar, janë shënuar rreth 9 mijë raste të lëvizjeve të brendshme të popullsisë, nga një komunë në tjetrën. Kjo zhvendosje, sipas ekspertëve, ka ndodhur me vetë vullnetin e qytetarëve, në kërkim të një jete më të mirë.

Profesori Rifat Blaku, demograf, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, thotë se zonat urbane vazhdimisht kanë qenë më atraktive për banorët e fshatrave për shkak të mundësive për punësim, shkollim, për biznes apo për një jetë më komode.

Blaku thotë se pavarësisht që trendi i lëvizjeve drejt qyteteve vazhdon, megjithatë një shtresë e qytetarëve tashmë është e interesuar të kthehet për të jetuar në viset rurale, për shkak të mbipopullimit nëpër qytete.

Por, që kthimi në fshatra të bëhet sërish atraktiv për jetesë, sipas Blakajt, nevojiten investime dhe donacione në bujqësi, pasi që ky aktivitet biznesor, krijon të ardhura më të larta, se sa një pagë mesatare në sektorin publik dhe privat.

“Eksodi rural mund të parandalohet me përmirësimin e infrastrukturës. Disa rezultate janë të regjistruara, pasi në shumicën e komunave të Kosovës, tashmë shumë rrugë janë asfaltuar”.

“Duhet të zgjerohet rrjeti shëndetësor dhe arsimor, si dhe të aplikohet mundësia e investimeve dhe granteve, për zhvillimin ekonomik, në radhë të parë të bujqësisë, pemëtarisë dhe shumë aktiviteteve tjera bujqësore. Kjo sepse punimi i sipërfaqeve bujqësore familjare mund të sjellë përfitime të konsiderueshme në krahasim me pagën që mund të kenë në sektorin publik dhe privat në Kosovë”, thekson Blakaj.

Për rritjen e interesimit të qytetarëve për t’u kthyer në viset rurale dhe angazhimin e tyre përzhvillimin e veprimtarive bujqësore, flet edhe profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci.

“Është një kërkesë e shumë e qytetarëve të zonave të ndryshme, që gabimisht janë shpërngulur, ose e kanë bërë këtë për shkak se i kanë pasur shtëpitë e shkatërruara nga lufta. Sot ata kanë interesim të jashtëzakonshëm që të kthehen në vise rurale dhe të zhvillojnë krahas prodhimtarisë bujqësore, edhe prodhimtarinë alternative apo turizmin rural. Kjo bëhet edhe në shtetet tjera”, thotë Rusinovci.

Ai shton se në vitet e para të pasluftës, autoritetet kosovare nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi zhvillimit të zonave rurale, çka ka ndikuar edhe më shumë në zhvendosjen e qytetarëve, për shkak të afërsisë së shkollave dhe shërbimeve tjera të nevojshme.

“Në zona rurale nuk do të thotë se duhet të jetojë vetëm fermeri apo bujku, në zona rurale mund të jetojnë edhe njerëz, të cilët merren me aktivitete tjera të biznesit. Por, nëse nuk e ka infrastrukturën rrugore, infrastrukturën e kanalizimit, qytetarët kanë pikësynim qendrën urbane”, shpjegon Rusinovci.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përqindja e popullsisë që jetonte në zonat rurale nëvitin 2011 ishte 61, 7 për qind, kurse në zonat urbane 38. 3 për qind.