Ferizaj

Diaspora Drejt Sukseseve Me Unionin e Bizneseve

By FerizajPress

January 05, 2017

Nëse do të bëja bilancin e realizimeve të shoqërisë shqiptare në diasporë do të ndalesha në disa momente të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së saj. Së pari do të doja të theksoja si një arritje të rëndësishme formimin e Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, e cila është një organizatë e pavarur dhe jofitimprurëse e krijuar në vitin 2013 nga bashkatdhetarët tanë të njohur për kontributin e tyre në sferën e bizneseve, si: vëllezërit Viqa, Nuha, Kelmendi dhe shumë të tjerë.

Qëllimi i UB është të japë kontributin e vet profesional për krijimin e urave të nevojshme që mundësojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqërorë të Kosovës dhe Shqiperisë nëpërmjet krijimit të marrëdhënieve të qëndrueshme midis institucioneve dhe bizneseve, Shqiptare dhe Gjermane. Për këtë qëllim fisnik dhe dobiprurës Unioni i Bizneseve synon të pozicionohet si partner qëndror në Gjermani. Bazat e organizatës janë mbi 250 biznese Shqiptare dhe Gjermane me vendndodhje në Gjermani, por me veprimtari edhe në trevat Shqiptare kryesisht në Kosovë.

Është kënaqësi të vë në dukje që mërgata po ecën me hapa të sigurtë drejt bashkimit në fushën e biznesit, atë të intelektualëve dhe të studentëve me qëllim rritjen dhe ndërgjegjësimin e këtyre grupeve sociale për nvojën e mbeshtetjes së vendit tonë nga vendet ku jetojmë dhe zhvillojmë aktivitetin tonë.

Jam i bindur se vetëm të bashkuar dhe duke koordinuar përpjekjet tona të sinqerta dhe përkushtimin ndaj Kosovës dhe trojeve tjera Shqiptare, e bëjmë vendin tonë Jerusalem për Shqiptarët dhe kombin tonë.

Shpreh dëshirën dhe bindjen që viti që sapo kemi hyrë do të jetë viti i mërgatës, vit i bashkimit mes nesh dhe kështu të bashkuar të mund të veprojmë me efektivitet në dobi të vendit tonë.

Urimet më të mira dhe gëzuar vitin 2017  Unioni i bizneseve shqiptare (UB)!

Shkruan.Sami Fejza