Shkruar nga: Dr Fatbardh Ramadani
Gjatë këtij viti jemi ballafaquar me paraqitjen e infeksionit i cili atakon rrugët respiratore dhe shkakton pneumoni atipike virale, duke mos kursyer organet e tjera, dhe me të drejt po klasifikohet si infeksion ku atakohen më shumë se një organ. Pas shumë hulumtimeve OBSH vërteton shkaktarin e këtij infeksioni, virusin COVID 19.
Të dhënat e fundit të përditësuara tregojnë për një komorbiditet të lartë tek njerëzit që vuajnë nga diabeti mellitus, si dhe njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e sistemit kardiovaskualar. Në bazë të kësaj vijmë në përfundim që pacientët me diabet i nënshtrohen mundësive të mëdha të pësojnë pneumoni të rënda, dhe për pasojë të komplikohen me ARDS dhe shok septik të cilat si komplikime kanë shkallë të lartë të vdekshmërisë.
Pacientët në moshë mbi 65 vjeç që rezultojnë pozitiv në PCR për COVID 19,dhe që kanë simptomatologji tipike për infeksionin në fjalë,dhe që vuajnë nga sëmundja e diabetit sidomos ata me glukorregullim joadekuat mund të kenë ecuri klinike më agresive, dhe shkallë të lartë te vdekshmërisë.
Glukorregullimi nënkupton : glikemi esull nën 7mmol/l, glikemi 2 orë pas ushqimit 9mmol/l, HbA1c : nën 7%.
Diabeti mellitus dhe llojet e saj futen në grupin e rrezikut të lartë,të cilët mund të fitojnë komplikime serioze nëse infektohen me virusin COVID 19.
Sipas studimeve të ndryshme në vendet ku ka pasur numër të madh të infektuarve dhe shkallë të lartë të vdekjeve (Kina,Italia,Spanja,Brazili,India,USA), raportojnë diabetin mellitus si faktorë mjaft rëndues në prognozën e infeksionit. Në studimet e realizuara është vërtetuar që pacientët me diabetes mellitus kan pasur indeks më të lartë të koagulimit të gjakut (aftësi për formim të shtuar të trombeve mikrovaskulare në organet e njeriut), si dhe lirim të shtuar në plazmë të interleukinave të cilat fajësohen si shkaktarë të komplikimeve të shumta organike. Ekzistojnë disa hipoteza se pse pacientët me diabetes mellitus kanë incidencë më të lartë për tu atakuar nga infeksioni me COVID 19,si dhe kanë ashpërsi klinike. Kryesisht mendohet që pacientët me diabetes mellitus kanë sistemin imunitar të kompromituar ( fagocitozë të dëmtuar, kemotaks të neutrofileve e cila është e dëmtuar,dëmtimin e imunitetit qelizore (funksioni i limfociteve T dhe B) etj.duke rënduar ecurinë klinike.
Pacientët me diabetes mellitus që janë të infektuar është e domosdoshme fillimi i terapisë insulinike. Kjo arsyetohet se në gjendje të një infeksioni të organik vlerat e glikemisë do të rriten. Shumë studime tregojnë që hiperglikemia keqëson proceset e koagulimit të gjakut-hiperkoagubilitet, dhe shumë punime tregojnë afinitet të madh për mikrotrombe vaskulare në organe të ndryshme sidomos në mushkëri gjatë COVID 19 infeksionit te pacientët me hiperglikemi ,duke rritur shkallën e vdekshmërisë.
Pas verifikimit të diagnozës më COVID 19 tek një pacient me diabetes mellitus ndërpritet terapia me antidiabetik oral, (biguanide,inhibitorët e SGLP 1(mbetet në studim),derivatet e sulfoniluresë etj.Në gjendje të infeksionit,si dhe nëse kësaj i shtojmë edhe aplikimin e terapisë me kortikosteroid( Dexamethason,Methylprednisolon dhe Hydrocortison), sipas protokoleve për trajtim të SARS COV 2, është e pritshme të kemi vlera të larta të glikemisë tek pacientët të cilët trajtohen nga ky infeksion. Kortikosteroidet rrisin vlerat e glikemisë në gjak.
Aktualisht është e rëndësishme të fillohet trajtimi me Insulin me rrugë infuzive e cila është mjaft adekuate dhe kërkon monitorim të vazhdueshëm, sidomos tek pacientët me komplikime akute: këto acidoza diabetike dhe koma hyperosmolare joketotike. Variant tjetër për trajtim kemi edhe bazal bollus trajtim me insulinë. Trajtimi bazal bollus nënkupton aplikimin e insulinës me veprim të shpejt në doza 0.2-0.4 IU/kg/ditë sc, të ndara në tre vakte,si dhe aplikim të insulinës me veprim të ngadalshëm doza e së cilës është shuma e dozave të insulinës me veprim të shpejt. Pra duhet të jetë një regjim 50% insulin me veprim të shpejt, dhe 50% insulin me veprim të ngadalshëm. Titrimi i dozave duhet të bëhet cdo ditë varësisht nga vlerat e glikemisë ditore deri në arritjen e synimeve tona.
Pacientët të cilët kan qenë duke u trajtuar me bazal bollus, trajtimin e vazhdojnë me modifikim të dozave deri në arritje të normalizimit të profilit glikemik.
Pacientët për të cilët kan nevojë për mbajtje të kontrollit glikemik fillojm me terapi insulinike premix HPN e cila aplikohet sc,me doza 0.15 -0.3 IU/kg/24h, ku 2/3 e dozës ipet në mëngjes dhe 1/3 në mbrëmje.Titrimi dozave është në baza ditore dhe varet nga niveli i glikemive ditore.
Vend të rëndësishëm tek ky grup i pacientëve merr edhe të ushqyerit. Praktikohet që brenda 24h të marrin ushqime me vlerë 1800-2500 kcal: 50-55% karbohidrate, 30% yndyra, 15-20% proteina. E nevojshme është që të marrin edhe mineralet si dhe vitaminoterapi (sidomos Vitaminë C dhe D).Rehidirimi (qoftë parenteral ose oral) gjithashtu ka rëndësi të madhe terapeutike.
Caku kryesorë tek pacientët e infektuar me COVID 19, me diabet është rregullimi i vlerave të glikemisë,glikemi jo më lartë se 9mmol/l me qëllim të përmirësimit të prognozës së sëmundjes bazë . E rëndësishme është që pacientëve me diabet dhe me infeksion, gjatë qëndrimit në spital ti bëhen matjet e vlerave të glikemisë 6 herë në ditë(profili glikemik). E rëndësishme është të vlerësohet edhe acetoni në urinë për detektim të komplikimeve të mundshme akute.
Në mbarë botën nga ana e profesionistëve janë raportuar raste me diabet, tek pacientët që paraprakisht nuk kan qenë të sëmurë nga diabeti mellitus. Janë raportuar raste që pacientët janë paraqitur në qendrat spitalore me Pneumoni atipike të shkaktuar nga COVID 19,me vlera të larta të glikemisë në gjak,si dhe në disa raste me komplikime akute të diabetit (Ketoacidozë diabetike si dhe komë hiperosmolare joketotike) por që paraprakisht nuk kanë vuajtur nga diabeti. Kjo ka shtyrë të bëhen shumë studime në lidhje me mundësin e shkaktimit të diabetit nga COVID 19.Janë disa teori në lidhje me këtë. Një teori tregon që virusi në fjalë mund të lidhet për ACE receptorët në beta qeliza Langerhans të pankreasit, dhe në veshka duke dëmtuar funksionin e tyre, dhe për pasojë të kemi paraqitjen e diabetit. Ende nuk ka ndonjë verifikim shkencor final për mundësin që COVID 19 të shkaktojë formë të diabetit.
Përfundimi
Pacientët me diabet mellitus të infektuar me COVID 19 kanë predispozicion më të lartë për të pasur pneumoni të rënda për pasojë edhe të komplikohen me ARDS(Sindromi akut i distresit respirator) dhe shok septik si komplikime kryesore të infeksionit viral. Në vende të ndryshme të botës 20-40% e pacientëve të infektuar kanë pasur diabet.