Kryetari i komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma prit në takim pune zyrtare nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) znj.Sebahate Pacolli-Krasniqi,mjeke, dhe znj Selvi Izeti-Çarkaxhiu Psikologe.
Znj.Sebahate Pacolli-Krasniqi e njoftoi Kryetarin Suma se Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) është organizatë e pavarur, jo qeveritare dhe jo profitabile me seli në Prishtinë. QKRMT–ja përveç në Prishtinë vepron edhe në këto qytete të Kosovës: Skenderaj, Podujevë, Gjilan, Suharekë, Rahovec, Pejë dhe Deçan. Këto qendra janë hapur në vendet të cilat kanë vuajtur më së shumti nga shkatërrimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Ajo tha se në bazë të shumë informatave mbi zhvillimet në Han të Elezit gjatë kohës së luftës dëshirojmë që shërbimet e kësaj qendre të shtrihen edhe në komunën e Hanit të Elezit. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka për mision të përmirësoj mirëqenien e viktimave të torturës dhe të përmirësoj gjendjen e tyre përmes rehabilitimit, riintegrimit dhe risocializimit. Procesi i rehabilitimit ndjek rrugët e paracaktuara të vlerësimeve të përgjithshme, vlersimeve psikologjike dhe sociale, duke përfshirë regjistrimin dhe përcaktimin e diagnozës, trajtimin, monitorimin dhe përfundimin e trajtimit. Theks të veçantë të do ti kushtohet grave viktima të dhunës seksuale dhe torturës gjatë konfliktit në Kosovë. Ndërsa Kryetari i Komunës Rufki Suma duke e cilësuar veten si dëshmitarë i të gjitha ngjarjeve nga viti 1998 deri në përfundim të luftës në trevën e Hanit të Elezit, përkrahi fuqishëm iniciativën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës që të merret me trajtimin e këtyre ngjarjeve. Ai tha se zhvillimet në Han të Elezit kanë qenë shumë specifike nga se popullata vendase ka qenë tërësisht e dëbuar me dhunë nga shtëpitë nga paramilitare serbe që me fillimin e bombardimeve nga forcat e NATO-s, Mirëpo Hani i Elezit gjatë gjithë kohës ka qenë i mbi populluar me kolona e kolona refugjatësh të dëbuar me dhunë nga pjesët tjera të Kosovës të cilët për shumë ditë kanë qëndruar në shtëpitë e Hanit të Elezit. Mirëpo pas përfundimit të luftës dhe kthimit të banorëve në shtëpitë e tyre, ajo çka është gjetur në shumë shtëpi dhe pika kontrolluese të forcave serbe në Han të Elezit dhe rrethinën me shumë fakte materiale kanë dëshmuar se janë kryer vrasje, dhunë fizike, tortura dhe dhunime seksuale. Kryetari Suma tha se kemi deklarata të familjarëve të cilët pas kthimit në shtëpi të tyre kanë hasur në shumë gjurmë që dëshmojnë për keqtrajtimet kryera ndaj refugjatëve Kryetari Suma tha se si Komunadant i Brigadë 164 “Gafurr Loku” të UÇK-së në Han të Elezit gjatë dhe pas përfundimit të luftës kemi gjetur viktima dhe dëshmi të shumë ngjarjeve të cilat i kemi kompletuar dhe mbi këto dëshmi Komuna e Hanit të Elezit ka qenë komuna e parë e cila ka ngritur padi zyrtare kundër shtetit Serb mbi krimet e kryera në trevën e Hanit të Elezit. Kryetari Suma tha se gratë e dhunuara duhet ta kenë përkrahjen institucionale të kërkojnë drejtësi dhe dhunuesit të marrin ndëshkimin e merituar.