Lajme

Detajet e marrëveshjes për urën mbi Ibër në Mitrovicë

By FerizajPress

August 06, 2016

Pas diskutimeve të gjata të zhvilluara më 2 gusht, ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe Kryenegociatori Marko Gjuriq u pajtuan sot për detajet e fundit të mbetura lidhur me implementimin e marrëveshjes së 25 gushtit 2015, për urën në Mitrovicë, të arritur në dialogun Prishtinë – Beograd.

Në një njoftim për media, thuhet se tani që implementimi i plotë është në horizont, Ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve mes serbëve, shqiptarëve dhe komuniteteve tjera të Kosovës.

“Revitalizimi i urës, si dhe i Rrugës ‘Mbreti Petar’, do të kontribuojnë në masë të madhe në lehtësimin e kontakteve në mes të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë në shkëmbime dhe mirëkuptim. U dakordua që leja e rëndësishme e ndërtimit të lëshohet dhe revitalizimi i Urës së Mitrovicës dhe hapësirës përreth të fillojë më 14 gusht 2016. Ura e Mitrovicës do të hapet për këmbësorë dhe automjete në të dy drejtimet në përputhje me rekomandimet e vlerësimit teknik dhe dizajnit arkitektonik për të cilat të dy palët u pajtuan në qershor të vitit 2015”, thuhet në njoftim.

Punimet në urë do të kryhen duke iu qasur vendpunimit nga rruga në anën jugore. Ura do të jetë e hapur për qarkullim të plotë më 20 janar 2017.

Në përputhje me të njëjtin afat kohor, komuna e Mitrovicës së Veriut do ta revitalizojë rrugën e saj kryesore – Rruga ‘Mbreti Petar’ – në zonë për këmbësorë. Rruga do të jetë e hapur për këmbësorë më 20 janar 2017. Punimet do të fillojnë dhe do të përfundojnë në të njëjtën ditë si me ato në urë dhe përreth saj.

Një grup punues së bashku me dy kryetarët e komunave do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht kushtet politike dhe të sigurisë në të dy komunat gjatë dhe pas procesit të revitalizimit. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 9 shtator 2016. Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i do të sigurojnë një mjedis të sigurt në përputhje me mandatet e tyre përkatëse. Ata do të konsultohen për masat e duhura të sigurisë, duke përfshirë edhe konsultat me dy kryetarët e komunave.

Në lidhje me çështjen e implementimit të nenit 5 të marrëveshjes mbi Urën e Mitrovicës, ministritë përkatëse dhe dy komunat do të gjejnë një zgjidhje deri më 14 tetor 2016.

BE-ja mirëpret rezultatin e diskutimeve të sotme dhe nxit të dyja palët që të vazhdojnë të arrijnë progres në të gjitha çështjet tjera të hapura që presin të implementohen, në veçanti në Telekom, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe Energji.