Ferizaj

Detaje nga dosja: Droga e konfiskuar në Ferizaj erdhi nga Irani përmes Turqisë

By FerizajPress

May 24, 2022

67 kilogramë heroinë të cilat u konfiskuan dje në Ferizaj erdhën nga Irani përmes Turqisë.

Sahit Shabani, Afrim Dernjani, Valdrin Neziri, Sefedin Dernjani, Atif Shabani, Besim Hyseni, Selam Shabani, Samir Hyseni, Mufail Shabani, Zafer Serkan, Faruk Diri, Murat Yilmaz, Avdulvehap Diri, Halit Irez, Sylejman Yuruk (këta gjashtë të fundit shtetas të Turqisë) po dyshohet se kanë kryer veprën penale të blerjes, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Të njëjtit janë arrestuar dhe janë nën ndalim për 48 orë me urdhër të Prokurorisë në Ferizaj.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi se që nga muaji nëntor i vitit të kaluar e deri më 23 maj të këtij viti, të dyshuarit kishin vepruar si grup dhe u është konfiskuar 67 kilogram heroinë e cila ka pasur qëllim që të shitej.

Prokuroria tregon se nga Irani, droga ka hyrë në Kosovë përmes Turqisë. Fillimisht droga është dërguar në shtëpinë e të pandehurit Besim Hyseni në fshatin Firaj të Komunës së Shtërpcës e ku është filluar procesi i përpunimit dhe ka përfunduar më pas në një laborator të improvizuar sipas prokurorisë në shtëpinë e të dyshuarit tjetër Mufail Shabani.

Prokuroria Themelore në Ferizaj gjatë ditës së sotme kanë bërë edhe kërkesën për paraburgimin e 15 të dyshuarve në lidhje me veprën e lartë përmendur duke u bazuar se ekziston rreziku i ikjes sidomos për gjashtë shtetasit turq ndërsa prokuroria ka pretenduar se të dyshuarit mund të ndikojnë edhe në rrjedhën e procedurës penale.

“Për shkak se në këtë rast janë të përfshirë 15 persona të cilët po të gjenden në liri mund të ndikojnë në bashkëpjesëmarrësit, në mënyrë që vetëm disa nga ta të marrin tërë përgjegjësinë për veprën penale, e po ashtu men të ndikohet edhe në provat materiale për shkak se ende nuk është sekuestruar e tërë sasia e narkotikëve, të cilën të pandehurit e kanë poseduar, ë gjitha këto rrethana tregojnë rrezikun se pot ë gjendet në liri i pandehuri mund të pengoj rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Një tjetër pikë që është potencuar nga prokuroria është se për grupin e dyshuar ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.

“Kjo për shkak se duke pasur parasysh peshën e veprës penale jo vetëm për shkak të dënimit por edhe për shkak se narkotiku i llojit Captagon, është narkotik i cili tek përdoruesi nxit dëshirën për kryerje të veprave penal, faktin se përpunimi i narkotikut është kryer në laborator në rajonin e komunës Ferizaj dhe Shtërpce, tregojnë rrezikun se po të gjenden në liri, mund të vie deri te përsëritja e veprës penale”, thuhet tutje në dosjen e prokurorisë.