Ferizaj- Dëshmitari Besart Mani, si teknik në kompaninë “Syri i Shqiponjës” tha se në gusht të vitit 2021, ditë e diel, kishte qenë në banesën e Dardan Krivaqës, pasi që ky i fundit e kishte ftuar për t’ia kthyer video-incizimet 5-6 ditë prapa.
Këtë deklarim, Mani e bëri të enjten, në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ku Dardan Krivaqa bashkë me Arbër Sejdiun, po akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e të ndjerës, Marigona Osmanit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në muajin gusht 2021, kam qenë në punë ka qenë e diel, kur u lajmërova në punë në mëngjes, më treguan për detyrat e mia gjatë ditës, ndërsa atë ditë kam qenë në fshatin Sazli, e pastaj në Ferizaj tek një banesë afër Spitalit. Aty ka dal m’ka marrë Dardan Krivaqa dhe kemi shku në banesën e tij. Dardani ka kërku nga unë me i kthy kamerat 5-6 ditë prapa për shkak se thoshte m’ka hy n’shpi një njeri i familjes”, rrëfeu dëshmitari Mani.
I njëjti, tha se pas kërkesës së Krivaqës, kishte bërë punën e tij duke i kthyer kamerat apo video-incizimet që i ka kërkuar i njëjti.
Po ashtu, dëshmitari Mani tha se ato incizime i kishin shikuar së bashku me Krivaqën, mirëpo sipas dëshmitarit aty nuk kishte asgjë për të dyshuar apo të pazakonshme.Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Krasniqi, e ka pyetur dëshmitarin nëse i njëjti a ka shkuar për t’i kthyer video-incizimet apo për t’i fshirë, pasi që në akuzën e prokurorisë thuhet se i akuzuari Arbër Sejdiu të akuzuarit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirr kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.
Lidhur me këtë, dëshmitari Mani tha se ka shkuar për t’i kthyer ato video-incizime sipas kërkesës së klientit në këtë rast i akuzuari, Dardan Krivaqa.
Tutje, dëshmitari Mani i pyetur nga gjykatësi Sahit Krasniqi, se ku ndodhen incizimet e datës 20 gusht 2021, tha se nuk ka njohuri dhe që sipas tij, ka mund të kenë qenë të shkyçura nga rryma elektrike dhe me ç’rast nuk kanë punuar.
Në këtë fazë të procedurës, mbrojtësi i të akuzuarit Dardan Krivaqa, avokati Admir Salihu propozoi që për seancë të radhës të ftohet mjeku që e ka kontrolluar të akuzuarin Dardan Krivaqa në ditën kur është mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit, dr. Astrit Hoxha, mjek në emergjencën e Ferizajt.
Sipas avokatit Salihu, ky propozim bëhet për arsye se dr. Astrit Hoxha ka dhënë një deklaratë me disa rekomandime të cilat nuk janë marrë parasysh nga institucionet.
“Ky doktor ka deklaruar se i akuzuari Krivaqa ka qenë i droguar, po ashtu i njëjti ka dhënë rekomandime që të akuzuarit Krivaqa t’i bëhen disa analiza”, ka thënë avokati Admir Salihu.
Trupi gjykues mori aktvendim që lidhur me propozimin e avokatit Salihu, do të vendoset jashtë seancës gjyqësore.
Ndërsa, seanca e radhës për këtë rast u caktua më 24 janar 2023.
Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.