Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit A.G për veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë.
I akuzuari A.G – ish polic, është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 15 vjetësh.
I dënuari kishte plagosur me armë zjarri ish gruan e tij me tepër se një vit më parë.
“Gjykata ka konstatuar se me datë 04.02.2016, rreth orës 09:30, në Prishtinë, në rrugën “Xhavit Ahmeti”, i akuzuari A.G pas një përgatitje paraprake ka tentuar që me dhunë ta fusë në veturën e tij të dëmtuarën B.C me qëllim që ta privojë nga jeta dhe pasi që e dëmtuara ka refuzuar, i akuzuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të kokës përkatësisht në syrin e majtë, nga e cila goditje të dëmtuarës i janë këputur indet e syrit të majtë, me ç’ rast tani të dëmtuarës i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë dhe me pasoja të përhershme për shëndetin, andaj me këtë ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë” thuhet në kumtesë.