Dënohet kamerierja hajdute në Tiranë, ja si vidhte

By FerizajPress

July 27, 2016

Një kameriere 31-vjeçare, e quajtur “Ela”, ka qenë tmerri i lokaleve në Tiranë. Ajo ka mashtruar dhjetëra pronarë të këtyre lokaleve. Çështja ka shkuar në gjykatë, dhe, disa ditë më parë, ajo është dënuar me 16 muaj burg. Gazeta “Shqip” ka siguruar vendimin e gjykatës, ku janë të detajuara të gjitha episodet e vjedhjeve.

Episodi I/procedimi I

Më datën 25.05.2015, në polici është paraqitur shtetasja Monika Q., e cila ka një lokal Bar Kafe në Rr “Liman Kaba”, Tiranë. Kjo shtetase ka kallëzuar se ajo bashkë me bashkëshortin e saj kishin nxjerrë disa ditë më parë një njoftim në gazetë, ku kërkonin të punësonin një kameriere në lokalin e tyre. Pas këtij njoftimi në gazetë, në lokalin e shtetases Monika është prezantuar një shtetase, e cila ka thënë se quhej Emanuela Malaj, ishte nga Mallakastra dhe ishte 30 vjeç.

Monika e ka pyetur personin që është vetë-ofruar për punën e kamarieres dhe ajo i ka thënë se kishte eksperienca pune në lokale dhe e dinte se si menaxhohej puna. E pandehura, që është prezantuar si Emanuela Malaj, ka filluar punë në lokal në datë 25.05.2015 rreth orës 07:00 të mëngjesit. Pasi ka bërë disa rregullime e pastrime në lokal, ka pyetur shtetasen Monika se ku do t’i linte lekët e xhiros. Kjo e fundit i ka thënë se lekët e xhiros i mbante vetë kamarierja dhe i dorëzonte ato në fund të turnit te saj.

Emanuela ka vazhduar normalisht punën e saj si kameriere deri rreth orës 12:15 të asaj dite. Në këtë orë, Emanuela Malaj, ka kërkuar leje nga pronarja e lokalit ku punonte për të dalë për të blerë diçka për të ngrënë dhe pasi ka dalë nga ky lokal nuk është kthyer më aty. Pasi nuk është kthyer më në lokal, Monika është futur në banak për të shërbyer ndaj klientëve dhe ka konstatuar se, jo vetëm që ishte larguar me lekët e xhiros me vete, rreth 12 000 (dymbëdhjetëmijë) lekë të reja, por kishte vjedhur dhe 20 000 lekë të reja.

Episodi II/procedimi I

Një ngjarje tjetër me autore të pandehuren Emanuela Malaj është ajo e datës 14.06.2015 ne lokalin “D…” të shtetasit Fatjon T. Në këtë lokal, Emanuela ka filluar punë më datë 14.06.2015, rreth orës 07:00 të mëngjesit. Në punë është marrë nga Fatjoni, i cili e përshkruan atë si një vajzë rreth 27 vjeçe, rreth 165 cm e gjatë, me trup të mbushur, dhe me flokë pak bionde.

Rreth orës 12:30, Fatjon Toska, është larguar nga lokali i tij për në shtëpi. Rreth orës 13:30, e ka marrë në telefon banakierja e lokalit dhe i ka thënë se kamerierja e re, ishte larguar nga puna pa njoftuar askënd, kishte marrë një shumë lekësh dhe kjo gjë kishte rreth 20 minuta që kishte ndodhur. Shuma që i kishte vjedhur ishte rreth 11 000 dhe këto ishin lekët e xhiros që Ela kishte bërë gjatë turnit.

Episodi III/procedimi I

Në po të njëjtën ditë, Emanuela Malaj është kallëzuar se ka vjedhur lekët e xhiros së një lokali tjetër, duke përdorur po të njëjtin mekanizëm si edhe në dy ngjarjet e tjera të mëparshme. Konkretisht kjo e pandehur, pasi ka parë një njoftim në gazetë, është paraqitur më datë 13.06.2015, ne lokalin “2…” të shtetasit Ardian A. Në Rr.

“Komuna e Parisit” dhe kanë rënë dakord që ajo të fillonte pune si kameriere në këtë lokal ditën e nesërme. Ela është paraqitur në lokal, rreth orës 15:00 dhe ka filluar punë aty si kamariere. Rreth orës 20:00 të kësaj dite, banakierja e lokalit “2…” ka thërritur shtetasin Ardian A., dhe i ka thënë se kamerierja ishte larguar dhe me vete kishte marrë dhe lekët e xhiros së lokalit, rreth 9 000 lekë të reja.

Episodi IV/procedimi I

Ngjarje tjetër me autore të pandehurën është ajo e datës 25.06.2015, ku në “Bar Xh…” të Olsi A., rreth orës 16:00, ka filluar punë Ela. Ai kishte publikuar një njoftim në gazetë, ku kërkonte një kameriere për lokalin e tij. Sipas këtij njoftimi në lokalin e tij kishte shkuar një shtetase, që ishte prezantuar me emrin Ela nga Fieri. Ka filluar punë po atë ditë, në orën 16:00 dhe ka punuar deri në orën 21:00 të asaj dite. Në orën 21:30, Emanuela Malaj ka dalë nga lokali, ku kishte filluar pune, duke u larguar pa njoftuar pronarin e lokalit dhe duke marrë me vete lekët e xhiros së ditës në lokal si dhe një orë të bashkëshortes së Olsit me vlerë 300 dollarë amerikane.

Episodi V/procedimi I

Një tjetër ngjarje, me të njëjtin mekanizëm, dhe me të njëjtën autore, është ajo e datës 07.07.2015. Malaj, në datën 07.07.2015, rreth orës 06:00 ka filluar pune. Sërish ajo kishte parë një njoftim në gazetë. Pasi kishte filluar punë, Ela ka kërkuar rreth orës 14:30 të kësaj datë nga pronari të dalë nga lokali dhe të thyejë disa lekë, që ti kishte për kusur gjatë punës së saj. Pasi ka dalë nga lokali, nuk është kthyer më aty, duke marrë me vete dhe gjithë lekët e xhiros së punës të asaj dite në lokal, rreth 12 000 lekë të reja.

Më datë 24.07.2015 është ndaluar me iniciativë e pandehura Emanuela Malaj. Më datë 27.07.2015 është vendosur masa e sigurimit “arrest në burg”. Apeli më 13.08.2015 ka vendosur ndryshimin e vendimit dhe caktoi detyrim për tu paraqitur.

Episodi I/procedimi II

Nga aktet e këtij procedimi rezulton se, më datë 18.12.2015 ka bërë kallëzim një tjetër shtetas. Në kallëzimin e tij sqaron se është menaxher në një lokal që ndodhet në afërsi të rrugës “Bedri Karapici”. Ai kallëzon se në këtë lokal punon si kameriere Emanuela Malaj, e cila më datë 18.12.2015 ka qenë në turnin e pasdites nga ora 14:30 deri në orën 22:00. Gjatë punës Emanuela ka thënë se do shkonte të blinte një sanduiç dhe do kthehej për të mbyllur lokalin por nuk është kthyer më. Meqënesë Emanuela nuk është kthyer, kallëzuesi ka shkuar tek banaku për të bërë mbylljen me banakieren e lokalit. Gjatë verifikimit ka rezultuar se, në arkë mungonin paratë e xhiros ditore, të cilat i kishte marrë Emanuela dhe është larguar bashkë me to.

Episodi II/procedimi II

Në datën 28.12.2015 është paraqitur në polici Gentjan S. Ky shtetas, ndër të tjera ka thënë se ka marrë një lokal me qira në Kashar 2 të quajtur bar-restorant “R…”. Në datën 27.12.2015 ka marrë në punë në kohë prove si kameriere një shtetase, e cila i është prezantuar me emrin Emanuela nga Fieri dhe ka punuar në lokalin e tij në datën 27.12.2015. Me pas ajo është larguar pa u përshendetur rreth orës 19:30. Kallëzuesi ishte në lokal i ulur me bashkëshorten dhe djalin në tavolinë dhe ata nuk e kanë vënë re se kur është larguar.

Rreth orës 20:00 kur kanë mbyllur lokalin, Gentjani është kujtuar të marrë portofolin, të cilin e kishte lënë në sirtarin pranë banakut të lokalit. Kur ka hapur sirtarin nuk e ka gjetur portofolin në të cilin kishte një sasi parash 200 euro, 10 000 leke dhe disa dokumente personale si: dy karta bankomati italiane, një patente italiane dhe një kartë identiteti shqiptare. Gentiani në lokal ka pasur të instaluar sistem kamerash dhe në pamjet filmike ka parë që kamerierja ka marrë portofolin dhe është larguar pa u vënë re. Kallezimtari e ka marrë në telefon Emanuelen, e cila e ka pranuar që i ka marrë lekët dhe portofolin e kishte hedhur në një pusetë. Emanuela Malaj kishte pranuar t’i kthente dokumentet.

.