Ferizaj

Demokracia Studentore organizon protestë kundër vendimit për varrezat e qytetit pranë UShAF-së

By FerizajPress

May 12, 2016

Demokracia Studentore organizon protestë kundër vendimit të Kryetarit Svarqa për varrezat e qytetit pranë UShAF-së

Organizata studentore “Demokracia Studentore” përmes një komunikate të lëshuar më 12 Maj ka reaguar ndaj vendimit të Kryetarit të Komunës z. Muharrem Svarqa i cili duke manipuluar me këshilltarët komunal në KK Ferizaj ka vendosur varrezat e qytetit pranë Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Kryetari i organizatës “Demokracia Studentore” z. Mexhid Ramusa përmes një komunikate shprehet se Kryetari   Muharrem Svarqa me veprimet e tij po tregon mizori dhe nuk ka një qëndrim të mirëfilltë për këtë problematikë shoqërore.

“Vendimi për të vendosur varrezat e qytetit pranë Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Sh.M.L “Qendra e Komptencës”, Shkollës së Mesme Ekonomike, Sh.M.U. “Vezir Jashari” tregon se Kryetari i Komunës po manipulon me shtresat shoqërore dhe po e varros një herë e përgjithmonë mundësinë për të investuar për Mensë dhe Konvikte në parcelën pranë Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizai. Vendimi që është marrë është vendim i dyfishtë pasi që varrezat e qytetit janë të destinuara në Fshatin Balaj të Ferizait dhe ky veprim i tij ka një botëkuptim politik dhe i cili është në dëm të studentëve, nxënësve dhe qytetarëve të Ferizait. Me këtë vendim, gjithashtu po keqpërdoret edhe buxheti komunal i Ferizajt.”

Andaj, për ta ndaluar këtë vendim mizor “Demokracia Studentore” organizon protestë para Kuvendit Komunal në Ferizaj me 17 Maj në ora 11:00 dhe i’u bënë thirrje Shoqërisë Civile,  studentëve, nxënësve dhe të gjithë qytetarëve që të mblidhemi dhe ta kundërshtojmë një vendim i cili është në dëm të të gjithëve, thuhet në komunikatën lëshuar nga Demokracia Studentore.