Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi dhe nisma për krijimin e ushtrisë pa amendamentim kushtetues dhe pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare janë dy çështje të cilat mund të bëhen shkaktarët kryesorë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Kështu së paku kanë vlerësuar politologët në Kosovë, të cilët pos kësaj kanë konsideruar se PDK-ja tashmë është duke ia hedhur përsipër LDK-së të gjitha dështimet kryesore, duke përfshirë këtu edhe mosarritjen për ta ratifikuar Marrëveshjen për Demarkacionin.
Nga ana tjetër, përfaqësues të të dyja subjekteve në koalicion, PDK-së e LDK-së, nuk përjashtojnë mundësinë për zgjedhje të parakohshme sado që sipas tyre këto çështje nuk paraqesin arsyen për të shkuar drejt zgjedhjeve. Por për dallim prej PDK-së, nismën e presidentit Thaçi për ta krijuar ushtrinë edhe pa vullnetin e ndërkombëtarëve LDK-ja e konsideron si veprim për “teka personale”./zeri.info/