Lajme

Demarkacioni, arsyeja për zgjedhje

By FerizajPress

July 20, 2016

Dështimi i ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacion mes Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Kundërshtimet e opozitës dhe një pjesë të deputetëve të koalicionit qeverisës që po i bëjnë versionit aktual të demarkacionit gjithnjë e më tepër po vlerësohet se ky proces do të dështojë.

E, dështimi i procesit do të mundë ta prishte edhe koalicionin aktual qeverisës mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat ende nuk po gjejnë konsensusin për ta proceduar në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion mes Kosovës e Malit të Zi.

Por, të bindur se këtë vit do të ketë zgjedhje dhe se demarkacioni mund të jetë shkas janë partitë opozitare, të cilat po kërkojnë kategorikisht mbajtjen e zgjedhjeve.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për gazetën “Zëri” se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt, meqë ky koalicion mes PDK-së e LDK-së është e keqja më e madhe për vendin.

“Ky koalicion është lajmi i keq për vendin, shiheni çka po i ndodh Kosovës, politizim i skajshëm i çdo hallke të institucioneve të vendit. Është një politizim i skajshëm. Është një situatë jo e lehtë në vend. Kur do të mbahen zgjedhjet?. Sa më shpejt, është më mirë për Kosovën. Besoj që këtë vit do të ketë, sepse po shkojmë drejt zgjedhjeve”, ka thënë kreu i AAK-së.

E këmbëngulur për zgjedhje të parakohshme është edhe Lëvizja “Vetëvendosje”, sipas të cilës, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për ta tejkaluar këtë situatë.