Ferizaj

Delegacioni nga Gjeneva vizitoi Ferizajn, premtojnë rritjen e bashkëpunimit

By FerizajPress

April 07, 2019

Ferizaj. 07 Prill 2019. Pasditen e së dieles, i pari i Ferizajt, Agim Aliu hapi zyrën e tij për të mirëpritur një delegacion miqsh zviceran që me angazhimin e tyre arritën të sjellin në shkollën ferizajase, pajisje teknologjike e inventar shkollor për të përmirësuar sadopak infrastrukturën shkollore për nxënësit dhe stafin arsimor. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani pritën delagacionin e Këshillit Administrativ të Komunës Meyrin që gjendet në kuadër të Kantonit të Gjenevës, Zvicër, keyesuar nga kryetari i kësaj komune, Pierre Alain Tschudi dhe dy anëtarët tjerë të këtij këshilli, Nathalie Leuenberger dhe Jean Marc Devaud. Këtij delagacioni, në cilësinë e nikoqirit në Kosovë, i ishte bashkëngjitur edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj me stafin e tij si dhe drejtues të shoqatës “Rrethi i Shqiptarëve në Meyrin”.

Kjo e diele, nuk kishte se si të shfrytëzohej ndryshe përveçse me vizitë pikave atraktive e turistike në Ferizaj, përveç protokollit zyrtar, ku Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu në zyrën e tij i uroi mirëseardhjen dhe i falënderoi për gjithë investimin e deritanishëm në Kosovë, e veçanërisht në Ferizaj.

Agjenda e vizitës së këtij delegacioni vijoi në fshatin Sazli, gjegjësisht në shkollën e këtij fshati, ku donatorët zviceran dhe mysafirët tjerë bashkë me të parin e Ferizajt, Agim Aliu e stafin e tij, u mirëpritën me duartrokitje, festë e embëlsira nga nxënësit, mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollës. Anëtarët e Këshillit Administrativ të Komunës Meyrin nga Zvicra panë nga afër gjendjen e kësaj shkollë dhe donacionin që kanë realizuar për këtë qëllim. Me dhurata, entuziazëm e falënderim u mbyll edhe vizita të shkollën e këtij fshati.

Të interesuar për historinë e qytetit, trashëgiminë kulturore dhe resurset e qytetit tonë, delegacionit të huaj dhe të tjerëve që qëndruan sot në Ferizaj, i bëri një xhiro njohëse vet i pari i Komunës, Agim Aliu. Ai, mysafirët i dërgoi në objektin unik në gjithë trevën tonë por edhe më gjerë, në hapësirën që ndajnë të njejtin oborr Xhamia e Madhe e Ferizajt dhe Kisha Ortodokse. Me rrëfimet e tij për historinë e këtyre objekteve, raritetin e këtij fenomeni ndër ne, dëshmi për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare dhe rrëfimin e imamit të kësaj xhamie, miqtë zviceran u njoftuan për bashkëpunimin e mirëfilltë dhe raportin miqësor e tolerant që ka kleri fetar në qytetin tonë.

Të impresionuar me këtë rrëfim dhe nga ajo që panë, miqve zviceran iu rezervua edhe një vizitë në fenomenin e rrallë botëror, të dytin e këtij lloji në planetin tonë, Bifurkacionin e Neredimes. Shumë fotografi, kuriozitet e rrëfime, mbyllën edhe këtë vizitë për të vazhduar në darkën mikpritëse dhe falënderuese për kontributin e mysafirëve zviceran për qytetin tonë.

Drejtuesit e Komunës Meyrin në Kantonin e Gjenevës, Zvicër shprehën fjalët më të zgjedhura për të parin e Ferizajt, Agim Aliu dhe stafin e tij, për mikpritjen e tij, bujarinë dhe energjinë që për orë të tëra t’i rrëfej për qytetin, zhvillimin, historinë dhe mbi të gjitha shpresën që buron nga ky qytet. Ata falënderuan dhe garantuan këtë të fundit për intensifikimin e bashkëpunimit dhe donacionet e reja.