Protestën e paralajmëruar të grave të PDK-së së Ferizajt, e shoh si një përpjekje të radhës të kësaj partie për intensifikimin e parakohshëm të fushatës, e cila kohët e fundit po merr dinamikë të paparë. Pa e kontestuar të drejtën e kujtdo që ta shpreh lirshëm mospajtimin e vet, dua të them se rastin me kuvendaren e PDK-së Kristina Bytyçi e quaj të mbyllur. Siç e kam shpjeguar disa herë deri tani, ishte thjesht një moment i padëshirueshëm edhe për mua, për të cilin kuvendares Bytyçi i kam kërkuar falje publikisht gjatë mbledhjes së kuvendit po atë ditë. Por, duket se PDK e Ferizajt është gëzuar pa masë për këtë incident dhe dëshiron që prej tij të krijojë tullumbace sa më të mëdha, pastaj t’i pëlcacë ato me zhurmë sa më të madhe, me shpresë se kështu fiton pikë politike, në përpjekje për rrënimin e rivalëve. Në politikë kjo gjë është e kuptueshme, sidomos për ato forca që nuk zgjedhin mjete dhe metoda për të realizuar synimet e tyre.