Ferizaj

Degradohet rruga Ferizaj-Gjilan e asfaltuar 2 vjet më parë

By FerizajPress

May 29, 2019

Rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan, që përfshin dhjetëra fshatra të këtyre dy komunave, ka nisur të degradohet si pasojë e frekuentimit të madh të automjeteve transportuese, pas finalizimit të autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila ka një kyçje në afërsi të Ferizajt.

Ndonëse një pjesë e kësaj rruge, që përfshin fshatrat Bibaj, Sojevë dhe Dardani, është asfaltuar dy vjet më parë nga Ministria e Infrastrukturës, mirëpo sërish është dëmtuar. Banorët kanë thënë se kjo rrugë rajonale po e vështirëson qarkullimin e automjeteve, andaj Ministria e Infrastrukturës duhet ta mirëmbajë atë, shkruan sot Koha Ditore.

Xhevat Sallahu, përfaqësues i fshatit Zllatar, njëherësh këshilltar në KK të Ferizaj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se kjo rrugë rajonale është degraduar si pasojë e frekuentimit dhe stërngarkesës se automjeteve transportuese, pasi që është lëshuar në qarkullim lidhja e autostradës “Arben Xhaferi” në afërsi të Ferizajt.