Ferizaj

Debatin e gjatë e konstruktiv në seancën e sotme të Kuvendit në fund e shkatërroi gjuha fyese e opozitës

By FerizajPress

April 30, 2019

Mëngjesin e sotëm, filloi punimet seanca e muajit prill e Kuvendit të Komunës së Ferizajt. Në hapjen e kësaj seance, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi njoftoi mbi një mori pikash të rendit të ditës të cilat do të diskutoheshin sot në këtë seancë, përfshirë këtu edhe Raportin e Punës së ekzekutivit të Komunës. Me propozimin edhe të një pike shtesë në këtë rend dite u fut edhe diskutimi mbi ndalimin e ekskursionit për maturantët ferizajas. Pika tjetër që u bart në Komisionin përkatës për emërtimin e rrugëve dhe shesheve, ishte propozimi i arritur përmes peticionit që sheshi “Fjala e lirë” të riemërtohet me emrin e atdhetarit Rexhep Halimi. Pas diskutimeve të gjatë në pothuajse secilën nga pikat e prezantuara nga ekzekutivi, Kuvendi i Komunës me shumicë votash miratoi Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Dhënien e Dekoratave 01 Nr.27 të datës 31.03.2015 ku diskutime më të gjata pati në emërtimin e disa prej çmimeve/titujve. Pas kësaj vijoi me diskutimet për pikën e rendit të ditës, propozimin për hedhjen në diskutim publik të Rregullores Komunale për Përcaktimin e Orarit të Punës së Veprimtarive Afariste dhe të tjera në territorin e Ferizajt.

Në përmbushje të obligimit ligjor të paraparë me udhëzimin administrativ për themelimin dhe funksionimin e Këshillave Komunale për Siguri në Bashkësi, Kuvendi i Komunës, u njoftua për aktivitetin e kësaj strukture të sigurisë në kuadër të organeve komunale si dhe miratoi planin e punës së KKSB-së për vitin 2019. Pika që mori shumë orë diskutimesh ishte Raporti i Punës për vitin 2018 nga ekzekutivi komunal. Në ekspozenë e tij për të paraqitur këtë raport, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se historia politike e pasluftës me drejtimin e Komunës së Ferizajt, gjatë 2018-tës shënoi një kapitull të ri. Kapitullin e ri të transformimit substancial në çdo pore të trupit të qytetit e fshatit tonë, për të cilën dhjetëra mijëra ferizajas mbështetën dhe duartrokitën platformën qeverisëse të kryetarit Aliu në nëntor të 2017 dhe fillimit të qeverisjes në dhjetor.

“Nisur nga ky koncept imi qeverisës, vitin 2018 e përjetuam si një pranverë ferizajase, ku shpresa rilindi në shtëpitë e ferizajasve, në sytë e të moshuarve dhe në energjinë e të rinjve. Ata rilindën besimin në institucionin e Komunës, shërbimet e saja dhe dëgjueshmërinë e kësaj të fundit për kërkesat e tyre. Nga këtu zuri fill, energjia ime, vullneti i administratës sime që sa herë të hapim portën e Komunës, të ndjejmë këtë peshë besimi dhe pritje që kanë qytetarët në atë që u zotuam pak më shumë se 1 vit më parë, me bindjen e plotë në forcën tonë për ta bërë realitet çdo zotim, çdo pritje të qytetarëve që Ferizaj pas 4 vitesh të jetë më i mirë, ai që duam të gjithë, prosperues e i zhvilluar në të gjitha dimensionet e jetës shoqërore. Qeverisja e konceptuar me qytetarin në qendër, një model bashkëqeverisjes shembull edhe për komunat tjera, nuk ka si të mos e bëj diferencën mes dy poleve krejtësisht dalluese në ofertën tonë për Ferizajn që duam, të mbushur me dashuri në çdo ditë të vendimmarrjes sonë politike dhe Ferizajt që ishte, një arkë e mbytur në thellësinë e dorës së borxhliut ngaqë u pa vetëm si e tillë, si arkë, pa dashuri e vizion t’i trashëgoj mirëqenie e stabilitet ferizajasve. Viti 2018 për qeverisjen tonë lokale ishte viti më sfidues në gjithë historinë politike të pasluftës në Komunën tonë. Kjo për faktin e grumbullimit të shumë detyrimeve, si pasojë e një keqplanifikimi dhe klasifikimi të shpenzimeve dhe shpërndarjes buxhetore të trashëguar nga ish pushteti lokal. Me gjithë këtë fakt, entuziazmi ynë dhe bindja se ferizajasit meritojnë më shumë nga ajo që i është ofruar deri më tani, ka bërë që të tejkalohen edhe këto sfida, ndonëse me pasoja domethënëse në menaxhimin me sektorët komunal.Me gjithë trashëgiminë, pa lavdi, qeverisja të cilën drejtoj ka arritur të zbatoj të gjithë objektivat tona afatshkurtra dhe afatmesme të platformës sonë për Ferizajn. Vetëm në vitin e parë të qeverisjes, sollëm afro 100 milionë euro investime në projekte të ndryshme, kryesisht të fushës së infrastrukturës rrugore dhe shkollore. Një qeverisje krejtësisht e re, si në moshë ashtu edhe në qasje ndaj qytetarëve dhe kërkesave që parashtrohen ndaj nesh, arriti që të konsolidoj një raport ndërveprimi me qytetarët në dobi të zgjidhjes së kërkesave të tyre, pa lënë anash zotimin tim për fuqizimin e gruas në vendimmarrjen politike dhe shtetërore, duke vendosur për herë të parë standardin e lartë, pa kthim prapa në ecjen përpara të politikës lokale, me emërimin e 3 zonjave drejtore të drejtorive komunale. Viti 2018, ishte vit i Ferizajt dhe ferizajasve, për fatin dhe rëndësinë e së cilit u angazhuan ditë e natë, burra e gra të administratës sime. Kjo natyrshëm solli frytet e kësaj pune vetmohuese e rezultative, duke i sjellë Ferizajt një varg projektesh madhore, identitare për qytetin tonë dhe gjithë regjionin. Fjala vjen, Ferizaj ka kapërcyer ritmin e ngadaltë të zhvillimit infrastrukturor në fshat dhe qytet, duke bërë realitet mega projektin transformues urban të cilin simbolikisht e quajtëm “Bashkimi i Qytetit” dhe nënkalimet pjesë e fazës së transformimit urban që ngërthehen bashkë me këtë vepër madhore infrastrukturore. Një ngërç i viteve të inatit politik që prodhoi odisejadën e thashethemnajën më të shtrirë në kohë e hapësirë për ndërtimin e Spitalit të Ri Rajonal të Ferizajt, u zhbllokua me insistimin tonë, përpjekjen e mundimshme që ferizajasve t’i ofrojmë atë që i takon, vënien në vend të drejtësisë përmes ndërtimit të Spitalit të Ri Rajonal në Ferizaj. Edhe në planin afatgjatë, qeverisja ime prodhoi rezultatet e duhura. Caktimi i vendlokacionit të ri të varrezave të qytetit, me 30000 vendvarre, përbën një ndër vendimet më të të nevojshme, sfidë e gjatë e familjeve ferizajasve dhe klerit fetar. Qeverisja ime, energjinë dhe dijen profesionale e drejtoi edhe në projekte tjera zhvillimore. Të gjitha projektet e lartcekura, nuk do të ishin të plota pa ndërmarrjen e një varg masash në fushën e financave publike, përkatësisht masave proaktive të nxitjes së zhvillimit ekonomik, siç është vendimi për uljen e tatimit në pronë nga baza tatimore prej 10% si dhe disiplina financiare e kontrolli që rriti të hyrat vetanake prej 37% më shumë sesa periudha e njejtë e vitit paraprak. Ferizaj gjatë 2018, me gjithë levën qeverisëse ishte në funksion të mbrojtjes së familjes dhe ekonomisë familjare. Për këtë, mbyllëm mbi 60 bastore e kazino, si dhe arkëtuam nga këto të fundit mbi 230,000€. Në fushën e inspektimeve, pa mëdyshje, jemi kampion të kontrollit dhe kujdesit për sigurinë ushqimore me një varg aksionesh që zhvilluam në vitin 2018. Edhe në arsim arritëm rezultate domethënëse. Dy shkolla të reja të mesme dhe 28 nxënës për klasë në shkolla të mesme janë lajmi më i mirë që mund t’i jepnim qytetarëve ferizajas, komunitetit të mësimdhënësve dhe prindërve e nxënësve, pa lënë anash edhe praktikën tashmë të verifikuar e vlerësuar publikisht, atë të instalimit të konkursit publik, si mekanizëm punësimi, transparent e të pandikuar nga politika. Shqetësimi ynë ishte edhe higjiena në shkolla për të cilën formuam shërbimin e parë të këtij lloji atë të mirëmbajtjes teknike dhe higjienës të quajtur “Shtëpiaku”. Për vetëm një vit qeverisje, me përpjekjen tonë të pa negociuar dhe vizionare, Ferizaj ka 150 deponi ilegale të mbeturinave më pak sesa periudha paraprake kohore, 30,000 drunjë dekorativ, lule dhe drunjë frutor më shumë, ka 600,000.00€ më shumë buxhet për makineri pastrimi si rezultat i fitores sonë në Garën për Mjedis të Gjelbër, ka mbi 40 kilometra rrugë të asfaltuara, 4.2 kilometër trotuare dhe mbi 100 kilometër rrjet të ndriçimit publik të shtrirë në gjithë territorin e komunës sonë. Padyshim, rezultatet në projektet e mëdha, më së miri mund të ilustrohen me projektet gjigante e veprat strategjike për të cilat kemi arritur t’i sjellim qytetit tonë siç është Kolektori Verior për Trajtimin e Ujërave të Zeza, punimet e së cilës kanë filluar, përfitimi i projektit për ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza, përfitimi nga Fondi Kreditor për ndërtimin e Fabrikës së Ujit në Talinoc të Muhaxherëve, projekti për rregullimin e shtratit të lumit Neredime, konfirmimi se Ferizajt sikurse qendrave të tjera, do t’i kthehet ajo që padrejtësisht i ka munguar me dekada, Qendra e Alarmimit dhe Informimit, për të ecur tutje në vepra kulminante infrastrukturore e projekte transformuese e dinamike për jetën kulturore, rinore e sportive në komunën tonë siç është ndërtimi i Qendrës së Panaireve dhe Sporteve në Greme, Salla e Sportit në Balaj, projekti për ndërtimin e fushave të tenisit, ndërtimi i pishinës gjysmëolimpike, ndërtimi i Qendrës Multifunksionale (Pallatit të Kulturës), themelimi dhe funksionalizimi i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë – dhuratë për të rinjtë energjiplotë ferizajas, si dhe themelimi i institucionit unikal në tërë vendin në fushën e trashëgimisë kulturore – Muzeun e Kujtesës. Edhe për guximin e vendosmërinë e qeverisjes, u bënë hapa domethënës në vitin e parë të qeverisjes, siç është vendosja e 3 pikave të kontrollit policor për mbrojtjen e pyjeve duke mbuluar gjitha rrugët me vëzhgim policor e të autoriteteve lokale për të penguar dëmtuesit e pyjeve në veprimet e tyre të dënueshme. Tutje, në pikëpamje të transparencës, standardit të ri që vendosëm në këtë fushë, qytetarëve ferizajas i bëmë publike për herë të parë dokumente që për dekada nuk ishin publike, madje ishin mbajtur të fshehta e larg syrit të opinionit publik, tejet të nevojshme për të programuar vizionin e politikat tona qeverisëse siç janë emrat e uzurpatorëve, shfrytëzuesve afatgjatë dhe afatshkurtër, qiraxhinjëve borxhlinj dhe listën e pronave komunale. Një qeverisje e tillë, krejtësisht e re në praktikën e qeverisjes lokale, me standard të panegociuar kredibiliteti, ka arritur që për vetëm një vit qeverisje, ferizajasve t’i kthej gjënë e munguar – besimin në institucione dhe shpresën për kujdesin institucional e trajtimin e kërkesave të tyre” tha në fjalën e tij, i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Nga ana tjetër anëtarë të Kuvendit lavdëruan punën e kryetarit Aliu, duke theksuar se vitit 2018 ka qenë një vit i sukseseve shumë të mëdha në Komunën e Ferizajt.

Arian Imeri shef i grupit parlamentar të PDK-së ka numëruar një nga një të gjitha punët që janë realizuar nga kjo qeverisje pavarësisht problemeve financiare që ka pasur kjo qeveri.

Ndërkaq partitë opozitare kanë dhënë vërejtjet e tyre në lidhje me këtë raport. Enver Haliti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në këtë raport nuk janë paraqitur edhe dështimet e kësaj qeverisje, ndërsa ka thënë se raporti në mënyrë të përgjithësuar ka edhe gabime të shumta. Edhe Imri Hashani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka pasur vërejtje të shumta sa i përket këtij raporti, por kritika e tij më shumë është fokusuar tek gabimet teknike në paraqitjen e raportit.Ndërsa Xhavit Zariqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka përgëzuar Kryetarin Aliu, por edhe stafin e tij për punën e mrekullueshme që ka bërë për një vit të qeverisjes, duke përmendur kështu edhe buxhetin komunal por edhe shpenzimin e tij.

Në pikën e parafundit të kësaj seance me fjalorin banal dhe fyes të përdorur nga ish drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, asambleisti i LDK-së Burim Karameta ndaj drejtorit aktual të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi, u shkaktua tollovi, që rezultoi me tërheqjen e ekzekutivit dhe reagimin e menjëhershëm të kryetarit Aliu që të tërhiqet fjala dhe kërkohet falje publike për gjuhën joparlamentare, fyese të përdorur kundër drejtorit Ademi.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe raporti financiar për periudhën janar-mars 2019. U diskutua po ashtu edhe propozim-vendim për anulimin e vendimit të KK-së 01 Nr. 22 të datës 28.02.2019.