Lajme

Debati në Kuvend për dialogun, shtynë mbajtjen e tryezave politike

By FerizajPress

July 28, 2018

E para e këtij lloji ishte organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën kishin marrë pjesë të gjitha partitë parlamentare, shkruan lajmi.net.

Nga e njëjta nuk ishte arritur ndonjë konsensus, mirëpo të gjitha  partitë ishin pajtuar që këto tryeza të vazhdojnë të organizohen dhe mëtutje.

Të tilla tryeza kishin organizuar edhe PDK, Vetëvendosje e PSD, mirëpo në asnjërën prej tyre partitë nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje për temat e hedhura në tavolinë.

E një tryezë e tillë, ani pse ishte paralajmëruar nga AAK-ja se do të organizohej në ditët në vijim, ka pak gjasa të thirret.

Deputetja e këtij subjekti, Time Kadrijaj, tha sot për lajmi.net se me fillimin e debatit për dialogun në Kuvendin e Kosovës, organizimi i tryezave ka kaluar në plan të dytë.

Ajo thotë se gjithsesi duhet të shihen edhe rezultatet e këtij debati.

“Debati për dialogun me Serbinë në Kuvend veç ka filluar, dhe për momentin mendoj që nuk ka kohë të mjaftueshme për organizimin e një tryeze të tillë. Unë po mendoj që të shohim se si do të jetë debati dhe sa do të dakordohen partitë politike në nxjerrjen e ndonjë rezolute që buron nga ky debat, dhe gjithsesi se a do të ketë konsensus në hartimin e një platforme të dalë nga Kuvendi”, deklaroi Kadrijaj.

Sipas saj, Kuvendi megjithë qëndrimet jo të njëjta të partive politike, duhet të dalë me rezolutë dhe rekomandime nga ky debat, dhe partitë duhet t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre.

“Unë mendoj që do të duhej të arrihej një konsënsus, meqenëse partitë tjera kanë sjellë një rezolutë dhe rekomandime, ndërsa disa parti të tjera kanë propozu diçka tjetër. Por çdo debati shpresoj që përfaqësuesit e partive t’i harmonizojnë ato qëndrime”, shtoi ajo.

Ajo tutje shtoi se Kuvendi nuk duhet të dalë nga ky debat pa harmonizimin e një rezolute, në të cilën ajo shtoi se secili duhet të japë kontributin e vet.

“Nuk besoj që do të ishte e duhura që të kalohej nga kjo temë, meqenëse tash veç jemi në debat, unë mendoj që secili ta jap kontributin e vet, dhe të dalim me një rezolutë, rezolutë kjo që do të obligonte Qeverinë e Kosovës të vepronte sipas saj”, deklaroi Kadrijaj.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës vazhdon të hënën debatin për dialogun me Serbinë, debat ky i ndërprerë të enjten për shkak të vdekjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi./Lajmi.net/