Ferizaj

Çmimi i gazit mbetet i njëjtë, nafta lirohet për 1 cent kurse benzina për 2 cent

By FerizajPress

July 06, 2022

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka publikuar çmimet tavan për shitjen e derivateve për ditën e mërkurë.

Sipas njoftimit, çmimi maksimal i lejuar i gazit ka mbetur i njëjtë krahasuar një ditë më parë, pra me 0.78 euro kurse nafta është liruar për 1 cent e benzina për 2 cent.

Këto çmime vlejnë nga ora 10:00 e së mërkurës dhe janë të vlefshme për 24 orë. Kësisoj, MINT do të caktojë çdo ditë çmimet tavan për shitjen e derivateve.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës vendosi për vlerën se sa mund të fitojnë kompanitë e shitjes së derivateve. Fitimi është 12 centë për shitjet me pakicë, ndërsa 2 centë për shitjet me shumicë.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i kishte dërguar letër Qeverisë së Kosovës me anë të së cilës kërkojnë që marzha të caktohet duke u bazuar në nivelet e çmimeve aktuale.