Jar0006640 Lorries queue on the M20 during 'Operation Stack' after yesterday's fire in the channel tunnel.

Lajme

Çfarë po ndodh me çmimet në Kosovë, pas taksës ndaj mallrave serbe?

By FerizajPress

November 23, 2018

Vendimi i Qeverisë për vendosjen e taksës prej 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe ndalimin e mallrave që nuk i referohen Kosovës si Republikë, ka filluar të japë efektet e veta. Asnjë kamion me mallra serbe, sot nuk ka hyrë në Doganën e Kosovës. Taksa ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në vend. Por, në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, nuk janë të habitur për këtë, pasi që siç thonë se një gjë e tillë ka qenë e pritur, shkruan Gazeta Express. Vendosja e taksës fillimisht prej 10 për qind, e më pas 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, i gëzoi pothuajse gjithë kosovarët.

Shumica e duartrokitën këtë vendim të të parit të Qeverisë, e bënin thirrje që të përkraheshin prodhimet vendore.

Por, menjëherë pas vendosjes së taksës, gëzimi u mbeti në gjysmë. Gjithë kjo pasi shumë prej produkteve ushqimore, përfshirë edhe bukën filluan të shtrenjtoheshin.

Prej 30 centë sa kushtonte një bukë para këtij vendimi, çmimi i bukës është rritur për 10 cent. Tash një bukë thuajse në tërë komunat kushton 40 centë.

Një çmim përafërsisht i njëjtë i bukës është edhe në Shqipëri. Banorë të Kukësit kanë treguar për Express, se edhe atje çmimi i bukës sillet prej 30 deri në 50 centë E ndonëse, kishte shumë ankesa nga qytetarët për rritjen e çmimeve të produkteve, në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës nuk janë të habitur me këtë veprim të bizneseve, pasi që siç thonë një gjë e tillë ka qenë e pritur.

Kryetari i AKK’së, Valon Prestreshi i ka thënë Gazetës Express se një gjë e tillë është normale në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë.

Por, edhe Prestreshi e pranon se vendosja e taksës fillestare prej 10 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës për produktet serbe dhe boshnjake, ka filluar t’i çrregullojë tregjet.

Prestreshi beson se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë një analizë paraprake të tregjeve, dhe se ka zgjidhje për situatën e krijuar në vend.

“Është mëse evidente që masa e vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës në 10% ndaj produkteve importuese, ka filluar t’i crregulloj tregjet përkatëse, dhe shpresoj që qeveria ka hartuar ndonjë plan veprimi dhe ka bërë konsultime paraprake adekuate me shoqatat dhe odat e biznesit”, thotë Prestreshi.

I pari i AKK’së, thotë se përgjegjësia e Autoriteti Kosovar I Konkurrencës, do të parandalojë që ndërmarrjet ta shfrytëzojnë situatën e krijuar pr ngritjen e çmimeve, duke vendosur çmime të blerjes ose te shitjes apo kushte tjera tregtimi.

Për këtë, Prestreshi thotë se kanë krijuar edhe një grup të hetuesve për monitorimin e sjelljeve të ndërmarrjeve që potencialisht mund të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Derisa u bën thirrje bizneseve që të sillen në mënyrë të përgjegjshme ndaj konsumatorit dhe të mos e keqpërdorin këtë situatë.

“Tani përgjegjësia e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, është t’i parandaloj ndërmarrjet që i bashkërëndojnë aktivitetet e tyre dhe shfrytëzojnë situatën e krijuar për ngritjen e çmimeve në mënyrë të koordinuar, duke vendosur çmime të blerjes ose te shitjes apo kushte tjera tregtimi”, thuhet në përgjigjet e Prestreshit drejtuar Gazetës Express.

Ndërkohë, ky vendim i Qeverisë ka filluar të japë efektet e veta menjëherë.

Në Doganën e Kosovës kanë njoftuar se që nga dje pasdite, asnjë kamion me mallra serbe nuk ka hyrë në Doganë. Ndërsa, dje me të kuptuar për vendosjen e taksës shumë prej kamionëve me mallra serbe janë kthyer prapa.

Derisa, edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka filluar kontrollet nëpër biznese dhe kanë larguar gjithë produktet serbe, që nuk i referohen Kosovës si Republika e Kosovës.

Vendimi i Qeverisë është mirëpritur edhe nga komuniteti i biznesit në Kosovë.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Oda Ekonomike e Kosovës thuhet ‘se pas një takimi me bizneset në vend këto biznese e përkrahin vendimin qeveritar duke i dhënë konsideratë më të lartë interesit të përgjithshëm shtetëror’.

Në përkrahje të këtij vendimi ka dalur edhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Mirëpo, në të njëjtën kohë Klubi i Prodhuesve iu ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomik që të mos ndryshojnë çmimet e tregut, duke i rritur ato pas miratimit të vendimit për taksën 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjës./Gazeta Express