Lajme

Çatia mund ta zë familjen Musolli

By FerizajPress

August 07, 2016

Në një shtëpi të ndërtuar para shumë vitesh, me kulm dhe mure të çara, të pasigurta për banim, po jeton familja Musolli. Ky objekt banimi, i cili i përket së kaluarës, dita-ditës po bëhet më i rrezikshëm për këtë familje.

Familja vetë nuk po arrin ta riparojë atë, ndërsa për çdo ditë po përballet me frikën dhe ankthin se një ditë nuk do të zgjohen nga gjumi nga rrëzimi i mundshëm i këtij objekti. E kur jemi tek rrezikshmëria e këtij objekti, halli i tyre shtohet kur bëhet ftohtë, kur ka lagështi, apo kur fryjnë erëra të forta.

Ky ankth i vazhdueshëm është bërë i padurueshëm edhe për kryefamiljarin Idriz Musolli. Për më shumë ky i fundit na ka rrëfyer për hallet dhe dertet me të cilat është duke u përballur ai vetë, por edhe anëtarët e tjerë të familjes.

I lodhur nga mungesa e kushteve dhe jeta e vështirë me të cilën po ballafaqohet ai për çdo ditë, Musolli na ka rrëfyer se përveç shtëpisë familja në periudha kohore të ndryshme vuajnë edhe për gjëra më elementare për jetë, nga ushqimi, veshmbathja, detergjenti , mungesa e orendive brenda shtëpisë e të tjera që e plotësojnë jetën e njeriut.

“E shihni ketë vend banim këtu ka nevojë për riparime, nga të gjitha anët pikon uji, ka lagështi dhe shpesh kjo gjendje është bërë shkas edhe i sëmundjeve te familjarëve”, ka theksuar Idrizi.

Ai ka shtuar se familja nuk ka asnjë anëtar të punë- suar dhe e gjithë familja janë të varur nga një ndihmë sociale në vlerë prej 115 eurosh. Si do që të jetë, ai i kishte humbur shpresat për ditë më të mira, ndërsa jeta në skamje thotë se çdo ditë është më e rendë.

“Jeta qenka gjithqysh, por e rëndë është ajo kur nuk ke as kushte për të bërë një pleqëri të rehatshme”, thotë ai, duke shtuar se përveç mungesës së një shtëpie shpeshherë vuajnë edhe për gjëra elementare.

“Jeta në një shtëpi të vjetruar pa kushte dhe gati duke na zënë çatia, si dhe mungesa e kushteve më elementare për jetë, po na bëjnë jetën më të vështirë”, është shprehur Musolli. Ky qytetar, i cili mbi supet e veta sigurisht se ka dhe shumë e shumë halle, përderisa jetonte jo larg sheshit në kryeqytet, kishte vetëm një lutje që dikush t’i dalë në ndihmë familjes.

Ndërkohë, derisa ai fliste për atë që e mundonte diku thellë në shpirt, e që kishte të bënte me mungesë të kushteve dhe një kulmi të sigurt mbi kokë, pamjet e shtëpisë gati të rrënuar flisnin më shumë dhe kjo mjaftonte vetëm të hidhej një vështrim rreth e rrotull. Pothuajse në të gjitha anët e shtëpisë kishte nevojë për intervenime. Por, sigurisht se kjo gjë do të ndodhte vetëm po të intervenonte dikush t’u dilte në ndihmë nga institucionet apo bamirësit, sepse vetë familja nuk kishin mundësi të ndryshonin asgjë.

E gjithë kjo hapësirë nuk i ngjante një objekti banimi për njerëzit, por më shumë një shtëpie të braktisur. E mbi të gjitha frika dhe ankthi i përditshëm nga rrënimi i shtëpisë tashmë kishin bërë të veten, tek të gjithë anëtarët e kësaj familje, duke pamundësuar që t’u ringjallet shpresa për ditë më të mira.

“I kam humbur të gjitha shpresat. Kam kërkuar ndihmë për disa herë në Komunën e Prishtinës për të ma mundësuar që të kem një kulm më të sigurt mbi kokë, por kërkesa ime ka hasur në vesh të shurdhur. Askush nuk e çan kokën se një ditë mund të pësojmë si mos më keq”, ka thënë Idriz Musolli.

Për të siguruar një cent më shumë, Musolli beri të ditur se mbledh edhe hekurishte, por që, sipas tij, edhe nga kjo punë nuk fitohet. “Dal dhe mbledh edhe hekura, por nga ajo shumë nuk arrihet ta rinovojë shtëpinë, mundem të siguroj për mbrëmje një bukë më shumë, është shprehur ndër të tjera, ky qytetar, i cili jeton jo larg kryeqendrës, i harruar nga të gjithë ku zëri i tij nuk dëgjohet, ani edhe pse vjetërsia e kësaj shtëpie mund t’i kushtojë familjes edhe me jetë. Familja edhe pse i ka humbur shpresat te ndihma institucionale nuk i ka humbur ato edhe nga bamirësit, shkruan gazeta Kosova Sot.