Ferizaj

Bytyqi: Në fund të Qershorit pritet të funksionalizohet projekti “Bashkimi i Qytetit”

By FerizajPress

June 22, 2021

Kanë vazhduar sot punimet në asfaltimin e nënkalimit kryesor, e me këtë rast nga afër punimet i ka përcjellë i pari i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi. Ai ka thënë se projekti “Bashkimi i Qytetit” me këto nënkalime deri kah  fundi i këtij muaji pritet të futet në  funksion.  Bytyqi ka thënë se kushtet e motit dhe reshjet e kanë e kanë pasur ndikimin në zhvillimin e punimeve.

“Fatmirësisht, një projekt, më i madhi në komunën e Ferizajt që po implementohet nga kjo qeveri po shkon drejt fundit. Sot kemi filluar me asfaltimin e shtresës së dytë pas përmirësimit të kushteve atmosferike pasi ditëve të kaluar kushtet  atmosferike nuk kane lejuar asfaltimin e shtresës së dytë. Besoj që edhe ditën e nesërme do të kompletohet asfaltimi i shtresës së dytë dhe të vazhdohet me sinjalizime dhe punët që kanë mbetur te vazhdimi i nënkalimit për këmbësorë. Besoj që fundi i muajit të jetë edhe ditë kur do të lëshohet ky projekt në shfrytëzim për qytetarët e komunës sonë” ka thënë Bytyqi  

Vikendin e kaluar si rezultat i reshjeve të shiut në disa vende në këto nënkalime ka pasur grumbullim të ujit. Kjo për shkak të nivelit të pusetave, ka thënë Drejtori I Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.

Bytyqi ka shtuar se me asfaltimin e shtresë së dytë  ky problem është eliminuar por edhe me vendosjen e gypave të ujit atmosferik të cilët janë  të një diametri të 1.5 metrave.

Gjatë vikendit ka pasur edhe një përballje të pushtetit dhe opozitës në këtë aspekt.

“Ftojë opozitën që të na kritikojnë për projekte por gjithashtu i ftojë që të jenë korrekt edhe me kritikat e tyre. Rastin e vikendit të kaluar e kam sqaruar rastin e grumbullimit të ujit në disa pika. Dihet që pas asfaltimin e shtresës së parë  pusetat duhet të jenë në një nivel më të lartë që më asfaltimin e shtresës së dytë ato të nivelizohen. Dhe kur puseta është mbi nivelin e asfaltit nuk ka mundësi teknike që uji të futet në pusetë, dhe natyrisht që do të grumbullohet deri në nivelin e pusetës, dhe mbi këtë nivel nuk ka pasur ujë të grumbulluar. Pusetat  dhe kanalizimi është funksional  dhe e them me përgjegjësi të plotë se nëse në një vend në Ferizaj e kemi të zgjidhur problematikën e ujërave të shiut atmosferik është pikërisht projekti I nënkalimit në qendër të qytetit. Në këtë pjesë të nënkalimit janë të future gypa me një diametër prej 1.5 metrave dhe besoj që  është zgjidhje e e mjaftueshme dhe do të jetë pjesa e fundit e cila do të vërshohet në qytet” ka thënë Bytyqi.

Ecuria e punimeve dhe cilësia  në këtë projekt po vlerësohen si e mirë.

“Mund të them lirshëm që një ndër projektet që është realizuar më së miri në Ferizaj, është ky projekt  dhe jam shumë i kënaqur me cilësinë e punimeve që janë bërë dhe gjithashtu edhe me ritmin  e punës së operatorit, përkundër pengesave financiare që i kemi pasur, ata asnjëherë nuk janë ndalur dhe kanë vazhduar punën  dhe kjo ka bërë që projekti tashmë është drejt përfundimit dhe shumë shpejt  edhe qytetarët do të kenë mundësinë ta shfrytëzojnë këtë projekt, i cili është i veçantë për nga natyra, jo vetëm në komunë e Ferizajt por i pari i natyrës së tillë në Republikën e Kosovës” ka thënë Bytyqi .

 Funksionalizimi i këtij projekti po shihet si mundësi e shkarkimit të komunikacionit  dhe rritjes së qarkullimit rrugor. Ky  projekt është një ndër projektet më të mëdha të realizuara në historinë e qytetit të Ferizajt, transmeto TV Liria.