Për herë të katërt që nga tetori i vitit të kaluar, ka dështuar konkursi për drejtor të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA)
Problemet procedurale kanë qenë shkaku i anulimit të konkursit ka deklaruar Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqri Bytyqi, për Informatat.com.
“Kemi pasur disa dështime të konkursit për arsye procedurale. Ndërsa tani kemi përsëritje të konkursit për drejtor të akreditimit, e cila ka qenë kërkesë e jona . Sepse ne kemi qenë të interesuar në procesin e zgjedhjes se drejtorit të akreditimit, të përfshihet edhe Ambasada Britaneze, në mënyrë që të kemi një përzgjedhje të një personi të sa me profesional dhe sa me kompetent”, ka thënë Bytyqi.
Bytyqi bëri të ditur se Këshilli i Shtetëror i Cilësisë, ka marr vendim se të gjitha kolegjet dhe Universitetet të cilat kanë qenë të licencuara dhe të cilat kanë pasur programet e akredituara, të i’u vazhdohet edhe për një vit , për shkak të pamundësisë që të vlerësohet të gjitha gjate këtij viti.
Konkursi i parafundit i muajit prill kishte dështuar për shkak se Ministria e Administratës Publike (MAP) nuk i kishte njoftuar me kohë 2 kandidatë, të cilët i kanë plotësuar kriteret për rrethin e ngushtë. Ankesa e tyre ishte aprovuar nga këshilli i ankesave në Ministri dhe si rrjedhojë konkursi ishte anuluar.
Vitin e kaluar Ministria e Arsimit kishte marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të Cilësisë – KSHC), si dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie.