Lajme

Buxhovi në Amerikë: Kosova interes strategjik i Perëndimit

By FerizajPress

February 17, 2017

Buxhovi shprehu pikëpamjet e tij gjatë një ligjerate për Kosovën para studentëve të shkencave politike në universitetin “Texas Lutheran” në Seginë, Teksas.

Historiani theksoi se zgjerimi rus në Evropën Juglindore rrezikon ekzistencën e Natos dhe të Bashkimit Evropian. Andaj, ShBA-ja ka interes ta ndihmojë më tutje Republikën e Kosovës, si digë ndaj qëllimeve të Moskës.

Veç të tjerash, shkrimtari foli për Dardaninë e lashtë dhe përpjekjet shekullore të shqiptarëve për dy shtetet e pavarura që gëzojnë sot, të cilat shfaqen aleate të natyrshme të Perëndimit. Ai iu përgjigj pyetjeve të studentëve e akademikëve për Gjykatën Speciale, duke theksuar se puna e saj do ta çlirojë luftën e drejtë të UÇK-së nga damka e krimeve të indidividëve.

Themeluesi i LDK-së dhe autori i mbi 30 veprave të shpërblyera letrare e historike po qëndron në Shtetet e Bashkuara me ftesën e një varg institucionesh dhe shoqatash amerikane me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Sot, më 17 shkurt, z. Buxhovi udhëton për në Çikago. Si mysafir i posaçëm i kryebashkiakut dhe i komunitetit shqiptar, shkrimtari do të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Kosovës para godinës së bashkisë së Çikagos, qytetit të tretë më të madh në ShBA.

Gjatë fundjavës, Buxhovi do të takohet me familjarët e dy ushtarëve amerikanë që humbën jetën gjatë përgatitjeve për bombardimet e Natos kundër forcave serbe më 1999. I shoqëruar nga zoti Ramiz Tafilaj, drejtor i shtëpisë botuese “Jalifat Publishing”, shkrimtari kosovar do t’ua dhurojë dy familjeve nga një kopje të Deklaratës së pavarësisë. /21Media