Lajme

Burg vajzës që dogji makinat: Ish-i dhe babai i tij më dhunuan

By FerizajPress

April 04, 2016

23-vjeçarja Desara Mancellari e cila disa ditë më parë i vuri flakën 4 makinave të babait të ish-të dashurit të saj, do të qëndrojë në burg. Gjykata e Tiranës vendosi ndaj saj masën e sigurisë të “arrestit me burg”.

Nëpërmjet avokatit të saj e reja i ka qëndruar versionit se e ka bërë këtë veprim për të marrë hak ndaj ish-të dashurit të saj 22-vjeçar Filip Papajani dhe babait të tij. Sipas 23-vjeçares, ata i bënin presion dhe e kishin dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht. Sipas avokatit të Mancellarit, ajo i ka dhënë fund lidhjes për shkak të këtyre presioneve, dhe ka qenë djali ai që ka dashur rikthimin e saj, ndryshe nga sa u pretendua në fillim, se Desara i kishte djegur makinat pasi i riu nuk i jepte shpjegime për arsyen ose ai ishte ndarë.

Sipas organit të akuzës, Desara Mancellari e ka planifikuar djegien e makinave prej dy ditësh, ku fillimisht kishte blerë benzinë në një karburant në kryeqytet.

Avokati ka kërkuar një masë më lehtësuese për 23-vjeçaren, ku shtoi se gabimi i vetëm i saj ishte që nuk e denoncoi më parë dhunën që ishte ushtruar ndaj saj.