Lajme

Burg për falsifikim të dokumentit dhe mashtrim

By FerizajPress

December 09, 2016

Gjykata e Ferizajt e ka dënuar me dy vjet burgim personin R.K., i cili u gjet fajtor për veprat penale falsifikimi i dokumentit dhe mashtrim.

Ndërsa, dy të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, R.A. dhe E.I. u liruan pasi që prokurori u tërhoq nga ndjekja penale.

R.K. për veprën e parë penale – falsifikim i dokumentit u dënua me tetë muaj burgim, ndërkaq për veprën e dytë – mashtrim me një vit e gjashtë muaj. Ndërsa, sipas Kodit Penal të Kosovës dënimi iu unifikua në dy vjet.

R.K., sipas aktakuzës, gjatë vitit 2012 në Gjilan me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe në bashkëkryerje me të pandehurit kanë përpiluar dhe me dije kanë përdorur dokumentin e falsifikuar dhe atë kontratën e shitblerjes, edhe pse kanë qenë në dijeni se personi R.V. kishte vdekur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtit e kanë përpiluar kontratën në të cilën si shitës e cekin të ndjerin, ndërsa blerës të akuzuarin R.K.

Ndërkaq një muaj më vonë i pandehuri R.K. me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke i fshehur ato, ka mashtruar të dëmtuarin A.I. duke e nxitur që të veprojë në dëm të pasurisë së tij në atë mënyrë që pasi e regjistron paluajtshmërinë e të ndjerit R.V. në emrin e tij pranë Zyrës Kadestrale në Novobërdë ia shet të dëmtuarit parcelat për çmimin në vlerë prej 9.000 euro dhe përpilojnë kontratë të shitblerjes dhe të njëjtën e vërtetojnë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan./Kallxo.com

.