Ferizaj

Bujqve që punojnë në fermat e tyre do t’u lejohet lëvizja nga ora 6 deri në orën 20

By FerizajPress

April 14, 2020

Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se për bujqit, që tani janë në kulmin e punës së tyre në fushë, do të vlejnë masa lehtësuese të lëvizjes, edhe përkundër masave të reja të rrepta të institucioneve qeveritare për kufizim të lëvizjes.

Besian Mustafa, ministër në detyrë i Bujqësisë, ka njoftuar se orari i qarkullimit për bujqit individualë të pajisur me Numër Identifikues të Fermës (NIF), vetëm për të punuar në fermat e tyre, do të jetë nga 06:00 deri në 20:00.

“Bujqit e pajisur me NIF do të jenë të lirë të punojnë fermat e tyre dhe të qarkullojnë nga komuna në komunë, vetëm për të realizuar punët e domosdoshme bujqësore, përveç nga dhe në vatrat e përhapjes së infeksionit. Për të qarkulluar, bujqit duhet në çdo kohë të kenë me vete: Certifikatën e Regjistrimit të Fermerit, Aneks 1 të Certifikatës – Shënimet e Fermerit të Regjistruar dhe Letërnjoftimin”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, të punësuarit në fermë duhet të pajisen me “Vërtetim për lëvizje të lirë” i cili plotësohet nga pronari i fermës të cekur në Certifikatën e Regjistrimit të Fermerit.

“Vërtetimi për lëvizje të lirë mund të shkarkohet në faqen e internetit të MBPZhR-së www.mbpzhr-ks.net. Këta të punësuar do të jenë të lirë të punojnë dhe të qarkullojnë nga komuna në komunë, vetëm për të realizuar punët e domosdoshme bujqësore në fermën ku janë punësuar, përveç nga dhe në vatrat e përhapjes së infeksionit. Për të qarkulluar, të punësuarit duhet në çdo kohë të kenë me vete: Kopjen e Vërtetimit për lëvizje të lirë, të plotësuar dhe nënshkruar nga pronari i fermës, Kopjen e Certifikatës së Regjistrimit të Fermerit, të fermerit që i ka punësuar, Aneks 1 të Certifikatës – Shënimet e Fermerit të Regjistruar, të fermerit që i ka punësuar dhe Letërnjoftimin personal të tyre”, ka shtuar më tej ministri në detyrë i Bujqësisë.

Ai ka njoftuar se kanë përfshirë NACE kodet për leje pune për të gjitha bizneset e zinxhirit të kultivimit, grumbullimit, përpunimit, etj. të ushqimit.