Lajme

Britanikët në Kosovë: Dëshpërim e paqartësi

By FerizajPress

July 03, 2016

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian ka ndarë edhe britanikët në Kosovë. Disa kanë shprehur habi sesi bashkëkombësit e tyre një ditë vendosën të zgjohen jashtë familjes evropiane. Por ka edhe të tillë që i duartrokasin Brexitit.

Jack Butcher (29) e ka të vështirë të pajtohet me rezultatin e referendumit në Britani. Ai nuk ka pasur rastin të votonte pasi qëlloi të jetë në Kosovë. Megjithëse vota është e fshehtë, nga ato që thotë Butcher nuk është vështirë të kuptohet se ku do ta vinte iksin në fletëvotim, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Askush nuk e kishte pritur këtë rezultat, askush. Është e mërzitshme dhe jam i zhgënjyer, sepse shumica e të rinjve kanë shprehur dëshirën të jetojnë brenda BE-së”, thotë Butcher teksa mban në dorë një notes me shënimet që ka marrë nga takimi i Kolegjiumit të revistës periodike “Kosovo 2.0”. Butcher është redaktor menaxhues në këtë revistë, ku botohen artikuj, komente, analiza, opinione e blogje.

“Është zhgënjyese që të rinjtë shkëputen prej familjes evropiane”, shton Butcher, i lindur dhe i rritur në qarkun rural të Somerset, në jugperëndim të Anglisë.