Lajme

Blushi: Largimi i Tahirit ishte kusht i Metës

By FerizajPress

March 12, 2017

“Largimi i Saimir Tahirit ka qenë kushti i Ilir Metës ndaj Ramës, për vazhdimin e koalicionit dhe lëvizjet në qeveri janë tentativa e kryeministrit për të plotësuar dëshirën e aleatit të tij”, u shpreh Blushi.

Kreu i Libra-s tha gjithashtu se ministrat e tjerë po hiqen, janë një tentativë për të fshehur arsyen e vërtetë të largimit të ministrit të brendshëm.

Blushi sulmoi sërish kryeministrin Rama duke e akuzuar për mungesë të përgjegjësisë publike.

“Nuk e kuptoj se si mund të hiqen disa ministra njëkohësisht, vetëm për t’i kaluar në shërbim të partisë. Ku është përgjegjësia publike e qeverisë dhe e ministrave? Si mund të largohen ata nga detyrat publike, për t’u vënë në shërbim të partisë?”, tha deputeti.

Blushi tha se me këto lëvizje, qeveria po bëhet edhe më qesharake duke vendosur interesin e partisë, mbi interesin e Shqipërisë.

Deputeti Blushi komentoi edhe protestën e opozitës dhe mundësinë për të arritur një kompromis të saj me qeverinë.

“Nuk besoj se do të ketë marrëveshje midis qeverisë dhe opozitës, por besoj se opozita mund të hyjë në zgjedhje për arsyen e vetme, atë të mos humburit të kontrollit të opozitës”, komentoi Blushi

Në fund Blushi ngacmoi edhe kreun e kuvendit, duke thënë: “Ilir Meta është gardiani që ruan me fanatizëm sistemin e kalbur politik të ndërtuar në Shqipëri. Meta kujdeset që ky sistem të rezistojë e të mos shembet, sepse rrënimi i sistemit do të thotë edhe rrënim i asaj çka ai ka krijuar”, tha kreu i Libra-s