Ferizaj, 31 maj.Nxënës të shkollave fillore të Ferizajt janë përfshirë sot në një aktivitet për të shënuar ditën botërore kundër duhanit.Shumë punime të nxënësve janë prezantuar me këtë rast, ndërsa nuk kanë munguar edhe ligjëratat që lidhen me këtë dukuri e cila krahas shëndetit po dëmton edhe ekonomitë familjare.
Drejtues të Shoqatës së Biologëve”Bioekos”, të cilët edhe ishin organizator të këtij aktiviteti kanë thënë se në fokus kanë pasur shënimin e kësaj dite si dhe ndarjen e mirënjohjeve për nxënësit fitues të garës në lëndën e Biologjisë.
Kryetarja e kësaj shoqate, Sevdije Hasani, ka thënë me këtë rast se shoqata tashmë është bërë pjesë e organizimit jo vetëm të garave të biologëve por edhe të promovimit të fushatave sensibilizuese.
“Ka qenë e paraparë që në këtë ditë të shënohen këto dy aktivitete e shoqatës, gjë për të cilën krahas nxënësve u jam mirënjohës edhe arsimtarëve të lëndës së Biologjisë”, ka thënë Hasani
Ndërkohë edhe arsimtarja e Biologjisë , Blerina Aliu, ka thënë se nuk është vështirë të punosh me nxënësit në këso aktivitetesh.
“Nxënësit vetëm duhet orientuar në atë se çka duhet të punojnë, ata pastaj me zellin më të madhë i realizojnë qëllimet”, ka thënë Aliu.
Në këtë aktivitet janë shpërblyer të 33 nxënësit fitues të garës nga lënda e biologjisë, ndërsa kontribut në sensibilizimin e opinionit kundër duhanit kanë dhënë nxënësit e shkollës “Dituria” nga Dardania, të cilët kanë prezantua edhe me një ligjëratë për dëmet që u shkakton njerëzve duhani.
Nxënësja e kësaj shkolle,Arbesa Beqiri, së bashku edhe me shokët e klasës është ndier të emocionuar për kontributin e dhënë në shtjellimin e kësaj teme.