Lajme

Bill Clinton: Hillary do e bëjë Amerikën më të fuqishme

By FerizajPress

July 27, 2016

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, iu ka kërkuar demokratëve dhe publikut amerikan që ta votojnë bashkëshorten e tij në nëntor, duke thënë se duke e bërë atë gruan e parë që bëhet presidente, ajo do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara një vend më të mirë dhe më të fuqishëm.

Fjalimi i 26 korrikut i Clintonit para Konventës Kombëtare Demokrate në Filadelfia, dhe miliona njerëzve që e kanë përcjellë fjalimin e transmetuar në televizionet amerikane, është konsideruar pika kryesore e natës së dytë të kësaj konvente.

Fjalimi është përcjellur nga votimi formal, duke i thirrur me zë secilin prej 4,700 delegatëve për ta zyrtarizuar Hillary Clinton si kandidaten e tyre presidenciale.

“Hillary do na bëjë neve më të fuqishëm së bashku. Ju e dini këtë sepse ajo e ka kaluar tërë jetën duke e bërë këtë”, ka thënë Bill Clinton në fjalimin e tij të gjatë 50 minuta.

“Ne që kemi më shumë të kaluar se sa të ardhme kujdesën më shumë për fëmijët tanë dhe nipërit dhe mbesat. Arsyeja pse duhet të zgjidhet ajo është se në shtetin më të mirë të Tokës, ne gjithmonë jemi kujdesur për të nesërmen. Fëmijët tuaj dhe nipërit tuaj do ju bekojnë përgjithmonë nëse e bëni këtë”, ka thënë ai.

Fjalimi është mbajtur një ditë pas një fillimi me jo pak lëkundje, kryesisht për shkak të zemërimit të përkrahësve të Senatorit Bernie Sanders, rivalit partiak të Hillary Clinton.

Pak para se votimi të përfundonte, në një gjest i konsideruar simbolik, por edhe dramatik, Sanders iu ka kërkuar delegatëve që ta nominojnë Clintonin me aklamacion e jo përmes procesit të gjatë duke i thirrur të gjithë delegatët me zë. Konventa është pajtuar, duke e bërë nominimin zyrtar.

Megjithatë, mijëra aktivistë dhe përkrahës të tij dolën në rrugë gjatë konventës për t’i ofruar përkrahje senatorit nga Vermonti dhe për të kundërshtuar procesin e nominimit që jo pak prej tyre e konsiderojnë të manipuluar.

Sanders tashmë i ka ofruar mbështetje me pasion qysh natën e parë të Konventës më 25 korrik, duke iu thënë delegatëve se Clinton “duhet patjetër të bëhet presidente e Shteteve të Bashkuara”.

Fjalimi i Bill Clinton është parashikuar nga demokratët që të bëjë përpjekje t’i ofrojë përkrahje energjike jo vetëm fushatës së bashkëshortes së tij, por edhe Konventës.

Fjalimi i një nate më parë i Zonjës së Parë të Amerikes, Michelle Obama, është pranuar shumë mirë.

Nëse zgjidhet, Hillary Clinton nuk do të jetë vetëm presidentja e parë grua e vendit, por edhe hera e parë kur bashkëshortja e një ish-presidenti zgjidhet president i shtetit.

Bill Clinton e ka mbajtur fjalimin e tij ashtu siç është pritur, i thjeshtë dhe i afërt me gjuhën e popullit, duke e kujtuar se si e ka takuar bashkëshorten e tij, para disa dekadave. Fjalimi kishte për qëllim që të nxisë të tjerët ta shohin atë si njeri, duke iu përgjigjur kështu kritikëve se ajo është shumë e ftohtë si person.

Pasi iu ka folur për karrierën e saj si avokate, zonjë e parë dhe këshilltare në Shtëpinë e Bardhë, senatore dhe Sekretare e Shtetit, Bill Clinton ka thënë se ajo është një person që e bën ndryshimin.

“Si shpjegohet kjo me atë që e keni dëgjuar gjatë Konventës së Republikanëve? Cili është dallimi në mes të asaj që ju thashë unë dhe asaj që e keni dëgjuar? Njëri version është i vërteti. Tjetri është i sajuar”, ka thënë.

“Ju thjeshtë duhet të vendosni, thjeshtë vendosni, se cili është versioni i saktë, bashkë-amerikanët e mi. Versioni i vërtetë ka bërë më shumë gjëra të mira para se të arrinte moshen 30 vjeçare, se sa shumë zyrtarë arrijnë të bëjnë gjatë tërë jetës së tyre”, ka thënë më tej, Bill Clinton.

Ai ka shtuar: “Nëse e doni këtë vend, nëse punoni shumë, paguani taksat, i nënshtroheni ligjit dhe do të donit që të bëheni shtetas, ju duhet të zgjidhni reformën e imigracionit kundër një personi që dëshiron t’iu kthejë”.

“Nëse jeni myslimanë, nëse je mysliman dhe e don Amerikën dhe lirinë dhe e urreni terrorin, qëndro këtu dhe ndihmo që Amerika të përmirësohet dhe ta ndërtojmë të ardhmen së bashku. Ne të duam këtu”, ka thënë më tej ish-presidenti amerikan.

Derisa dita e dytë ka shfaqur unitet të madh në mes të grupeve të demokratëve, dita e parë e konventës nuk është karakterizuar vetëm me paknaqësinë e përkrahësve të Sanders, por edhe me dorëzoheqjen e udhëheqës së konventës, pas rrjedhjes në media së mijëra emailave të partisë.

Jashtë sallës ku mbahej konventa, ka pasur acarim rreth mos trajtimit të duhur në mesin e votuesve të Bernie Sanders.

Mijëra kanë marshuar afër në Filadelfia ku mbahet konventa, megjithë temperaturat e larta, duke thirrur me zë, derisa delegatët futeshin në sallë.

Pak kohë pasi Cliton e siguroi nominimin për zgjedhjet presidenciale, një grup i madh i delegatëve pro Sanders janë larguar nga salla, duke u ulur në zonën e mediave në shenjë proteste. Disa prej tyre kanë pasur të mbyllur gojën me shirit ngjitës.

Në rrugë, disa përkrahës janë përballur me policinë.

“Kjo nuk është konventë. Kjo është një ndejë katër ditore për Hillarinë. Dhe, ne nuk jemi të mirëseardhur”, ka thënë delegatja Liz Maratea nga New Jersey, për të shtuar se “ne jemi trajtuar sikur e kemi lebrozën”.

Pak më herët se të fillonte nata e dytë e Konventës, ish-sekretarja amerikane Shtetit, Madeleine Albright, i është referuar akuzave të bëra më herët nga demokratët se rrjedhja në media e komunikimeve të brendshme partiake është bërë nga persona që kanë lidhje me shtetin rus, me qëllim që të ndihmohet fushata e rivalit republikan, Donald Trump.

“E vërteta është se një fitore e Trump në nëntor do të ishte dhuratë për Vladimir Putin, dhe duke e pasur parasysh atë që e dimë rreth veprimeve të fundit të rusëve, Putin mezi e pret fitoren e Trump”, ka thënë Albright, e cila ka shërbyer në presidencën e Bill Clinton.

“Kjo duhet të shqetësojë çdo amerikan. Këtë po ua thotë dikush si unë që ka arritur të largohet nga Perdja e hekurt. E di se çfarë ndodhë kur iu jep dritën e gjelbert rusëve”, ka shtuar ajo.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka akuzuar politikanët amerikanë se janë bërë paranojakë rreth dyshimeve se Rusia po e përkrahë Trumpin.

Republikanët, ndërkohë, janë duke e shijuar rritjen e përkrahjes sipas sondazhit të fundit për Trumpin.

Një sondazh i realizuar nga Reuters dhe Ipsos, i publikuar të mërkuren, tregon se Trump është para Clinton për 2 %.

Megjithatë, rritja e përkrahjes është e zakonshme pas përfundimit të Konventës./rel